Kupa e Botës ka qenë gjithmonë një pasqyrë e kohës në të cilën zhvillohet dhe edicioni i vitit 2026 nuk bëri përjashtim. Turneu i organizuar në SHBA, Kanada dhe Meksikë u zhvillua në një klimë të trazuar ndërkombëtare, mes polemikave për organizimin, futbollin e luajtur dhe sidomos për ngjarjet jashtë fushës, të cilat shpesh morën më shumë vëmendje sesa vetë ndeshjet.
Megjithatë, Botërori dhuroi edhe shumë momente pozitive, ashtu si edhe disa elemente që lanë shije të hidhur.
Pesë gjërat që na pëlqyen
Organizimi
SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika konfirmuan edhe një herë aftësinë e tyre për të organizuar një event të përmasave të Kupës së Botës. Logjistika funksionoi pa probleme, ndërsa nuk u regjistruan incidente të rëndësishme në aspektin e sigurisë apo menaxhimit.
Stadiumet u mbushën pothuajse në çdo ndeshje, me një mesatare prej 99.7% të kapacitetit, duke krijuar atmosferë spektakolare dhe duke lënë pas kujtimin e impianteve gjysmë bosh të Kupës së Botës për Klube 2025.
Historitë që prodhoi turneu
Ky Botëror do të mbahet mend për historitë e veçanta që dhuroi. Kepi i Gjelbër, me portierin legjendar Vozinja, i shkoi pranë eliminimit të Argjentinës, ndërsa Kurasao surprizoi Gjermaninë për disa minuta.
Në qendër të vëmendjes përfundoi edhe vëllai i vogël i Lamin Jamal, i cili fitoi zemrat e tifozëve me spontanitetin e tij. Emocione solli edhe rikthimi i Lionel Mesit në "MetLife", dhjetë vite pas humbjes së finales së Kupës së Amerikës, si dhe takimi i tij me Jamal, 19 vite pasi ishte fotografuar duke e mbajtur atë foshnjë në krahë.
Ndërkohë, Paraguaji eliminoi Gjermaninë në një nga surprizat më të mëdha të turneut, ndërsa Spanja dëshmoi se cikli i saj fitues vazhdon ende.
Stadiumet
Impiantet sportive ishin ndër pikat më të forta të këtij Botërori. Moderne, luksoze dhe të pajisura me teknologjinë më të avancuar, ato ofruan kushte ideale për spektatorët dhe skuadrat.
Azteca hyri në histori si stadiumi i parë që priti për herë të tretë një ndeshje hapëse të Kupës së Botës, ndërsa stadiumi "Jalisco" në Guadalajara, për shkak të lartësisë mbi nivelin e detit, u shndërrua në një sfidë shtesë fizike për futbollistët.
Niveli i futbollit
Nga ana sportive, ky u konsiderua një nga Botërorët më cilësorë të viteve të fundit. Kombëtaret e vogla dhe të mesme treguan rritje të ndjeshme dhe rivalizuan denjësisht me fuqitë tradicionale.
Republika Demokratike e Kongos i hapi probleme Anglisë, Maroku konfirmoi statusin e tij si një nga ekipet më të forta në botë, Japonia tregoi organizim të shkëlqyer pavarësisht mungesave, Norvegjia arriti deri në çerekfinale, ndërsa SHBA-ja e Mauricio Poçetinos surprizoi pozitivisht.
Në përgjithësi, turneu ofroi futboll cilësor dhe ndeshje të luftuara.
Arbitrimi
Arbitrat aplikuan një standard që favorizoi vazhdimësinë e lojës. Me udhëzimet e Pierluixhi Kolinës, ndërhyrjet fizike u toleruan më shumë dhe ndeshjet u ndërprenë më pak nga fishkëllimat.
Megjithëse pati disa episode të diskutueshme në sfidat Francë–Paraguaj dhe Angli–Argjentinë, në përgjithësi niveli i arbitrimit u vlerësua pozitivisht.
Pesë gjërat që nuk na pëlqyen
Politika pushtoi futbollin
Një nga temat më të debatueshme ishte ndikimi i politikës gjatë turneut. Kombëtarja e Iranit hasi vështirësi të shumta për shkak të kufizimeve të udhëtimit në SHBA, ndërsa shumëkush kritikoi mënyrën se si u trajtuan disa delegacione.
Po aq polemik shkaktoi edhe prania e Donald Trump në ceremoninë e dorëzimit të trofeut. Përfshirja e tij në fotografinë zyrtare me kampionët e Spanjës u komentua gjerësisht në rrjetet sociale, ndërsa lojtarët spanjollë realizuan më vonë një tjetër foto vetëm me trofeun.
Orari i ndeshjeve
Shumë sfida u zhvilluan në mesditë ose pasdite, kur temperaturat në disa qytete arrinin deri në 40 gradë Celsius.
Këto kushte ndikuan ndjeshëm në ritmin e lojës dhe cilësinë e futbollit, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin e kërkesave televizive në caktimin e orareve.
Finalja
Edhe pse përballja mes Spanjës dhe Argjentinës ishte finalja e ëndrrave për tifozët, ndeshja nuk i përmbushi pritshmëritë.
Temperaturat e larta dhe lodhja e akumuluar gjatë turneut bënë që skuadrat të zhvillonin një duel më shumë fizik sesa teknik, duke prodhuar një finale që u cilësua nga shumë analistë si zhgënjyese.
Spektakli i pushimit
Për herë të parë në një finale Botërori u organizua një "half-time show" në stilin e NFL-së, por ideja nuk u prit mirë nga një pjesë e madhe e tifozëve.
Shfaqja 27-minutëshe me emra të njohur të muzikës dhe spektaklit u konsiderua e tepërt dhe larg frymës tradicionale të futbollit. Shumë do të kishin preferuar që pushimi të mbetej i shkurtër dhe fokusi të ishte te loja.
Pushimi për hidratim
Edhe ndërprerjet për hidratim u bënë objekt kritikash. Përtej aspektit sportiv, shumë tifozë krijuan përshtypjen se ato po shfrytëzoheshin kryesisht për transmetimin e reklamave televizive.
Në disa raste u vu re se rifillimi i lojës vonohej deri në përfundimin e blloqeve publicitare, duke krijuar debat mbi komercializimin e tepërt të turneut.
Lini një Përgjigje