TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Korrik 2026, 14:56

Kushtetuesja rrëzon gjetjet e Avokaturës së Shtetit: Nuk veprojmë mbi rekomandimet tuaja, por Kushtetutës dhe Strasburgut

Shkruar nga Pamfleti

Gjykata i kërkon Avokaturës së Shtetit që raportet e saj të jenë të plota, objektive dhe të sakta, ndërsa rithekson angazhimin për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.

Kushtetuesja rrëzon gjetjet e Avokaturës së Shtetit: Nuk
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka reaguar ndaj raportit të Avokaturës së Shtetit për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), duke kundërshtuar konstatimet se nuk ka reflektuar rekomandimet për të drejtën e aksesit në gjykimin kushtetues.

Në reagimin e saj, Gjykata thekson se detyrimi për të zbatuar vendimet e GJEDNJ-së buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe jo nga rekomandimet e institucioneve të tjera.

“Fillimisht, Gjykata tërheq vëmendjen ndaj mënyrës së raportimit të Avokaturës së Shtetit. Në respekt të parimit të ndarjes së pushteteve, ndonëse mbetet e hapur për bashkëpunim institucional, Gjykata nuk vihet në lëvizje mbi bazën e rekomandimeve të ndonjë institucioni publik, përfshirë Avokaturën e Shtetit, dhe as njihet me vendimet e GJEDNJ-së ose i zbaton ato për shkak të njoftimeve të këtij institucioni. Ashtu si për çdo organ tjetër publik, edhe për Gjykatën detyrimi për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe të jurisprudencës së saj buron drejtpërdrejt nga nenet 5, 17 dhe 122 të Kushtetutës.”, thuhet në reagimin e Gjykatës.

Institucioni kujton se pas vendimit të GJEDNJ-së në çështjen “Supergrav kundër Shqipërisë”, të datës 9 maj 2023, ka ndryshuar praktikën lidhur me interpretimin e afatit për paraqitjen e ankimeve kushtetuese individuale, duke e përshtatur atë me standardet e vendosura nga Gjykata e Strasburgut.

“Pasi kjo mënyrë interpretimi u vlerësua nga GJEDNJ-ja si e papajtueshme me KEDNJ-në dhe menjëherë pas vendimit në çështjen Supergrav kundër Shqipërisë (9 maj 2023), Gjykata ndryshoi praktikën e saj, duke i interpretuar dhe zbatuar dispozitat përkatëse të ligjit organik (ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar) në përputhje me standardet e përcaktuara nga GJEDNJ-ja. Për këtë qëllim, sa herë paraqitet një ankim kushtetues individual, kërkohet informacion zyrtar nga Gjykata e Lartë për mënyrën e komunikimit të vendimit objekt ankimi dhe nëse kjo e fundit nuk paraqet prova në këtë drejtim, barra e provës nuk i kalon individit, ndërsa ankimi konsiderohet i paraqitur brenda afatit.”, thuhet më tej.

Gjykata Kushtetuese bën të ditur gjithashtu se ka rihapur proceset në rastet kur GJEDNJ ka konstatuar shkelje në procedurat e saj. Sipas saj, që prej vitit 2021 çdo vendim shoqërohet me arsyetim të plotë, edhe kur nuk arrihet shumica e nevojshme për marrjen e një vendimi.

Në përfundim, Gjykata i kërkon Avokaturës së Shtetit që raportet e saj të jenë të plota, objektive dhe të sakta, ndërsa rithekson angazhimin për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.

kushtetuesja gjetjet e avokaturës së shtetit

Lini një Përgjigje