
Pacientët me sëmundje tumorale në spitalin Onkologjik në QSUT po përballen me kushte çnjerëzore dhe metoda mjekësore të prapambetura që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e tyre.
Gazetari Osman Stafa tha se trajtimi i kimioterapisë kryhet në mënyrë primitive, duke i lënë pacientët për orë të tëra në karrige dhe duke përdorur teknika që bota e zhvilluar i ka braktisur prej dekadash.
Një nga problemet më flagrante të ngritura është mungesa e pajisjes "port-a-cath", e cila shërben për të mbrojtur venat e pacientëve gjatë kimioterapisë.
Sipas Stafës, në spital përdoret ende metoda intravenoze, e cila, siç është vërtetuar shkencërisht, shkakton kalçifikimin e venave dhe i nxjerr ato jashtë përdorimit, duke çuar pacientin drejt fatalitetit. Kjo ndodh ndërkohë që zgjidhja moderne, porti që vendoset në venën kryesore, eliminon këtë rrezik dhe lehtëson trajtimin.
Përveç kësaj, mungojnë edhe shiringat elektrike (pompat e infuzionit), pajisje thelbësore për administrimin e saktë të kimioterapisë. Trajtime të cilat duhet të zgjasin me orar të përcaktuar, si 6 apo 8 orë, në Onkologjik administrohen "me sy" nga stafi infermieror, duke hapur serumet standarde pa asnjë garanci për saktësinë e kohëzgjatjes dhe dozës. Pacientët detyrohen të qëndrojnë për orë të tëra ulur në karrige, në një situatë që përshkruhet si e padurueshme dhe e rrezikshme.
Stafa thekson se kjo gjendje alarmante, përfshirë mungesat e frikshme të medikamenteve, është dokumentuar prej të paktën gjashtë vitesh dhe është konfirmuar edhe nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili flet për një skandal.
“Të paktën gjashtë vitet e fundit kam dokumentuar me fakte dhe prova mungesat e frikshme të medikamenteve. Ka edhe një raport të KLSH-së që fakton një skandal të madh. Nuk di në ndonjë vend tjetër europian njerëzit të ishin kaq indiferentë; do kishin reaguar fuqishëm, madje edhe përgjegjësi politike do të kishte, sepse zgjidhja është politike.
Tregoj pamjet se si pacientët me kancer bëjnë kimioterapinë në karrige, si në vitet '90 apo 2000, pa vendosur port-a-cath-in, që ndihmon shumë për marrjen e kimioterapisë siç duhet.
Në QSUT kimioterapia jepet në rrugë venoze. Por rrugët venoze shkaktojnë kalçifikim të venave dhe i bëjnë të pashfrytëzueshme, që do të thotë se pacienti shkon drejt fatalitetit.
Në botë kanë shpikur port-a-cath-in, që vendoset në venën kryesore në pjesën e gjoksit dhe pacienti merr kimioterapinë në mënyrë korrekte. Gjithashtu kanë shpikur shiringat elektrike që bëjnë që kimioterapia të jepet për kohën e saktë të protokollit, që mund të jetë 2, 5, 6, 8 apo 10 orë.
Në spitalin tonë pacientët qëndrojnë për orë të tëra në karrige me serumet standarde, që i hapin dhe i mbikëqyrin me sy, pa pajisjet e duhura. Kjo është shumë e vështirë për ta dhe e papranueshme.
Kam dhe fotografi të publikuara në Facebook që tregojnë këtë situatë. Në asnjë vend tjetër, madje as në vendet e treta, nuk do pranohej kjo", tha ai për “Syri TV”.
Lini një Përgjigje