TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Gusht 2025, 17:12

Shqipëria nën pushtetin e flakëve, zjarre të fuqishme në Syrin e Kaltër, Finiq dhe Poliçan; ndërhyrje nga ajri me helikopterë dhe avionë

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria nën pushtetin e flakëve, zjarre të fuqishme

Shqipëria po përballet me një situatë të rëndë zjarresh që kanë përfshirë vendin prej disa ditësh, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era në disa zona. Sipas parashikimeve të IGJEO, niveli i rrezikut nga zjarret është “i lartë” në të gjitha qarqet. 

Në jug të Shqipërisë, situata paraqitet veçanërisht problematike. Në zonën e Syrit të Kaltër në Sarandë, zjarret kanë detyruar evakuimin e vizitorëve dhe mbylljen e qarkullimit në aksin Muzinë-Sarandë, pasi flakët gjigande kanë zbritur deri në rrugë.

Në zonën e mbrojtur “Rëzom” mbi tunelin e Skërficës, që lidh Sarandën me Gjirokastrën, një vatër zjarri po vështirëson ndërhyrjen për shkak të terrenit të thyer.Në Finiq, zjarret po kalojnë nga një fshat në tjetrin.

Në Leshnicë e Poshtme janë djegur disa banesa, ndërsa flakët kanë përfshirë fshatin Krane të njësisë administrative Mesopotam.

Në fshatin Krongj të Finiqit, një vatër zjarri është riaktivizuar, duke detyruar evakuimin e banorëve. Në Bolenë të Himarës, forcat operacionale, të mbështetura nga 20 efektivë të Forcave të Armatosura, po punojnë për të shuar flakët. Në Lukovë të Himarës, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, ku po operojnë efektivët e MZSH Himarë dhe Sarandë me 3 automjete zjarrfikëse dhe 11 efektivë, të mbështetur nga një avion kroat Canadair dhe një mjet zjarrfikës me 3 efektivë nga MZSH

Në Konispol, një vatër zjarri mes fshatrave Janjar dhe Ninat kërcënon një stan me 350 bagëti të imta dhe dy sipërfaqe të mbjella me ullishte dhe arra.Zjarre agresive në zona të tjera

Në Poliçan të Beratit, zjarri ka marrë përmasa të mëdha në mal, duke u cilësuar nga deputeti Erjon Braçe si zjarri më i madh i regjistruar ndonjëherë në këtë zonë. Jashtë territorit të Uzinës Mekanike, flakët kanë kaluar mbi ujësjellësin, duke rrezikuar banesa dhe Azilin e të Moshuarve në qytet. Banorët janë evakuuar, ndërsa në terren po operojnë forcat zjarrfikëse të bashkive Poliçan, Berat, Skrapar, Lushnje, Patos dhe Roskovec me 7 automjete dhe 25 efektivë, të mbështetur nga 60 efektivë të Forcave të Armatosura dhe mjete ajrore.

Në Gramsh, një vatër zjarri agresive mbi fshatin Sojnik është përhapur deri në Snosëm, duke rrezikuar banesat.

Në Mukaj të Gramshit, era ka përkeqësuar situatën, por forcat operacionale, të mbështetura nga 8 efektivë dhe 12 forca të bashkisë, po punojnë për shuarjen e flakëve.

Në uzinën e Cërrikut, zjarri është izoluar dhe po punohet për fikjen e plotë.Në Fushë-Arrëz, fshati Xath është përfshirë nga një zjarr i madh që rrezikon shumë shtëpi.

Në Malaj i Epërm, lagja “Vjollcë” në Rrëshen të Mirditës, zjarri në pyll me pisha, lis dhe shkurre është izoluar dhe mbahet nën kontroll, por forcat operacionale vazhdojnë monitorimin.

Në Malin e Allushit pranë fshatit Plani Bardhë të Klosit, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 efektivë.Në Tiranë, te Mali i Bërzhitës në fshatin Ibë, zjarri ka përfshirë 5 hektarë me shkurre dhe ferra, dhe forcat operacionale po punojnë për shuarjen e tij.

Në Rrogozhinë, zjarret në fshatrat Ballaj dhe Zhabjak rrezikuan banesat, por pas ndërhyrjes së forcave operacionale, të mbështetura nga një helikopter i FA dhe 50 efektivë, zjarri është vënë nën kontroll, duke shpëtuar mbi 50 banesa. Në Okshtun të Rrogozhinës, forcat po punojnë për të shuar flakët.

Në Peqinaj, Synej të Kavajës, 10 hektarë janë djegur, dhe ndërhyrja po vijon me mbështetjen e një avioni kroat Canadair.Në malin e Krujës, sipër fabrikës së çimentos, zjarri në pyll pishe është izoluar dhe intensiteti i tij është ulur, por mbahet nën monitorim.

Në Turan të Tepelenës, vatra e zjarrit është izoluar, por monitorohet nga afër.Mobilizim i madh i forcave dhe ndihma ndërkombëtare

Për të përballuar situatën, janë angazhuar 68 automjete zjarrfikëse dhe 601 forca operacionale, të mbështetura nga 183 forca ushtarake të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA. Ndihma ndërkombëtare ka qenë e rëndësishme, me dy avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia, të angazhuar përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.

Një avion kroat Canadair ka ndërhyrë në Synej të Kavajës, ndërsa dy helikopterë Black Hawk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe helikopterë çekë e sllovakë nga Baza e Kuçovës po operojnë në Gramsh dhe zona të tjera.

Lini një Përgjigje