
Apeli i GJKKO ka lënë në burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri dhe ka ndryshuar masën për Pandeli Kokaveshi nga arrest me burg në detyrim paraqitje.
Mësohet se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, nuk është paraqitur në seancë por përfaqësohet nga avokatët e tij të cilët kërkojnë një masë më të butë sigurie për të. Në seancë është i pranishëm Pandeli Kokaveshi.
Përmes avokatit të tij Edmond Demo, Beleri kërkoi lirim nga burgu dhe ndryshim të masës “arrest me burg”, vendosur nga Gjykata Antikorrupsion me kërkesë të SPAK.
Apelimin e ka kryer jo vetëm Beleri por edhe Pandeli Kokaveshi i cili pas arrestimit, u shtrua në spital.
Fredi Beleri shfaqi 3 ditë më parë probleme me zemrën. Ai është shpallur fitues i zgjedhjeve nga KQZ si kryebashkiak i Himarës, pasi u kandidua nga koalicioni Berisha-Meta, por fakti që ai ndodhet në burg dhe pamundësia për të bërë betimin mund të jetë një arsye që ai ta humbë përfundimisht mandatin.
Hetimi ndaj Fredi Belerit u krye mbas një referimi të policisë në datën 8 maj që angazhoi prokurorinë mbi dyshimet e shitblerjes së votës. Më pas thotë prokuroria një qytetar ofroi bashkëpunimin me drejtësinë, duke ekspozuar Belerin dhe Kokaveshin që dyshohet se paguan para në shkëmbim të votës.
Pagesa u krye në një lokal, dhe autoritetet theksojnë që disponojnë përgjime ambjentale të kryera nga një grup operacional i dërguar nga Tirana.
Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Po ashtu, Beleri sipas organit të akuzës, u premtonte se do t’i përfshinte në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe të pensionit nga shteti grek. Ndërsa përmes bashkëpunëtorëve të tij dyshohet se paguante shuma nga 50 deri në 200 euro për një votë në favor të tij. Pavarësisht hetimeve të nisur ndaj tij, Fredi Beleri mori Bashkinë e Himarës me 19 vota më tepër, përballë kandidatit socialist Jorgo Goro.