Tre emra të dalë nga drejtimi i FRPD, Arian Cara, Luis Hoxha dhe Klaus Shaqiri, sot figurojnë në rrjete kompanish dhe përmenden në materiale hetimore për call center të dyshuara për zhvatje ndaj qytetarëve të BE-së, ndërsa lidhjet e tyre politike me Belind Këlliçin ngrenë pikëpyetje serioze mbi kalimin nga struktura partiake në skema biznesi me qarkullim milionash
Në vitin 2016, në dokumentin zyrtar të zgjedhjeve të drejtuesve të forumeve më të larta të FRPD-së, Arian Cara rezulton drejtues i Departamentit “Shoqëria e Informacionit dhe Inovacioni”, ndërsa Luis Hoxha drejtonte “Ekonomia dhe Tregu”, dy emra që atëherë paraqiteshin si strukturë politike e së ardhmes, por që disa vite më pas dalin të lidhur në regjistrin tregtar si ortakë dhe administratorë në një rrjet kompanish që shtrihet nga Durrësi në Tiranë dhe që sot përmendet në denoncime dhe hetime si ambient i call centerave mashtrues me target qytetarë të Bashkimit Europian.

Ky dokument i vitit 2016 nuk ka lidhje me kohën e raportimit, por shënon pikën nga e cila nis kalimi nga politika në biznes, sepse pas atij momenti emrat e Arian Carës dhe Luis Hoxhës zhduken nga aktiviteti publik partiak dhe shfaqen në ekstraktet e QKB-së si administratorë dhe ortakë në VERTEX INVEST, FinTech Solution, B-Pro, My TV, 2.0, Zero Lounge dhe subjekte të tjera ku kapitali dhe ortakëritë ndërthuren në mënyrë të përsëritur.
Sipas burimeve të siguruara nga Pamfleti, Arian Cara përmendet si figurë drejtuese e një celule call centerash që dyshohet se ka operuar me zyra në Tiranë dhe Durrës, duke targetuar qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian me investime të rreme financiare, ndërsa aktiviteti i kësaj strukture pretendohet se është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Luis Hoxhën; një prej lokacioneve të përmendura nga burimet ndodhet në zonën e Bllokut në Tiranë, sipër lokalit 'cioccolatitaliani', ku janë instaluar struktura telefonike dhe staf i trajnuar për manipulim financiar.
Burimet flasin për mbrojtje të garantuar nga segmente të korruptuara të Policisë së Shtetit që kanë mbyllur sytë ndaj aktivitetit, ndaj kjo çështje kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe hetim të thelluar nga BKH për të ndjekur rrjedhën e parave, për të verifikuar rolet individuale dhe për të zbardhur çdo lidhje me struktura shtetërore që i kanë bërë të rinjtë e PD milionera.
Në VERTEX INVEST dhe FinTech Solution figurojnë së bashku Arian Cara dhe Luis Hoxha; në B-Pro figurojnë Arian Cara, Bledar Shehu dhe Lorin Hoxha; në My TV figurojnë Arian Cara dhe Doklead Ademi ndërsa Lorin Hoxha, që rezulton vëllai i Luis Hoxhës, është sot pronar 100 për qind i ALBANIAN STEVEDORING COMPANY, kompani që në korrik 2025 ka fituar një tender me vlerë mbi 800 mijë euro nga Porti i Durrësit për marrje me qira të pajisjeve për Terminalin e Kontejnerëve.

Në vitin 2019, Reshard Këlliçi, vëllai i Belind Këlliçit, kishte përfituar në mënyrë indirekte nga aktiviteti i ASC përmes aksioneve në kompaninë SIAC, aksione që në shkurt 2021 i janë transferuar Lorin Hoxhës, duke mbyllur një cikël ku familjarë politikë dhe ortakë biznesi kalojnë aksione mes tyre ndërsa kompania vijon aktivitetin dhe përfiton kontrata publike.

Belind Këlliçi, i cili për vite drejtoi Forumin Rinor të Partisë Demokratike dhe e monopolizoi nën kontroll të plotë organizativ, rezulton figura politike nga e cila dolën këta individë, ndërkohë që sot disa prej tyre përmenden në dosje hetimore për mashtrime financiare ndërkombëtare dhe pastrim parash përmes investimeve në biznese që operojnë në port, energji, logjistikë dhe media.
Kemi informacione të konfirmuara nga burime në organet ligjzbatuese se emrat e Arian Carës dhe Luis Hoxhës janë referuar në materiale verifikuese që lidhen me struktura call centerash të dyshuara për mashtrim financiar ndërkombëtar, ndërsa paralelisht këta individë rezultojnë në regjistrat tregtarë si ortakë dhe administratorë në disa subjekte me aktivitet në marketing, teknologji, logjistikë dhe media, çka ka shtyrë strukturat hetimore të analizojnë jo vetëm aktivitetin operacional të zyrave të dyshuara në Tiranë dhe Durrës, por edhe rrjedhën e kapitalit drejt kompanive ku ata figurojnë; hetimi, sipas të njëjtave burime, po përqendrohet në lëvizjet bankare, kontratat e shërbimeve, marrëdhëniet mes ortakëve dhe çdo lidhje të mundshme me përfitime publike. (vijon) /Pamfleti
Lini një Përgjigje