TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 6 Gusht 2024, 10:59

Pasuritë dhe kontratat publike të Andrea Çaushit. Kush e mbron në SPAK, bosin e drogës?

Shkruar nga Pamfleti
Pasuritë dhe kontratat publike të Andrea Çaushit. Kush e mbron
Andrea Çaushi

Në arkivën e ish Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndodhet një dosje hetimore e autoriteteve italiane për veprimtarinë kriminale të Andrea Çaushit allias Renato Çaushi, i cili furnizonte me drogë dy familje në zonën e Sicilisë.

Disa raporte policore dhe të SHISH e përshkruajnë Andrea Çaushin si administratorin e parcelave të drogës në zonat e Tepelenës, Gjirokastrës dhe Sarandës.

Por, mjafton vetëm dosja italiane për ta bërë Renato Çaushin subjekt të ligjit anti-mafia. Në kushtet kur Çaushi ka treguar se blen lehtësisht policinë e Sarandës, prokurorinë dhe gjykatat e Gjirokastrës dhe Vlorës, SPAK ka detyrimin ligjor për të zbatuar ligjin anti-mafia për Andrea Çaushi allias Renato Çaushi, një personazh me rekorde të theksuara kriminale dhe pasuri dhjetëra milionë euro, produkt i aktivitetit kriminal dhe pastrimit të parave.

Kreu i SPAK-ut Altin Dumani ka treguar vullnet për goditjen e të gjitha grupeve kriminale në vend që nga Bajrat në Shkodër, Avdylajt në Shijak, Çopjat në Elbasan, Çapjat po në Elbasan, bandën e Niklës, bandën e Dukëve etj.

Pse SPAK nuk nis një hetim për kokën e krimit në zonat Tepelenë-Sarandë, si detyrim ligjor që buron nga ligji anti-mafia?

Kush e mbron në SPAK, Andrea Çaushin?

Përmes një kontrate të paligjshme me Ministrinë e Kulturës, me anë të kompanisë Alb Tavos, Andrea Çaushi ka mbushur me restorante dhe lokale Kalanë e Lëkursit në Sarandë, një nga pikat kryesore të turizmit në Shqipëri.

Përmes kompanisë Albanian Natyrale Stone, me nipt K73615601A, dhe me leje të paligjshme të Ministrisë së Mjedisit, Andrea Çaushi shfrytëzon për gurore Dropullin e Epërm, ku me anë të eksportit të gurit dyshohet se mundësohet trafiku i kokainës.

Gjatë rrugës Sarandë-Ksamil, Kanali i Çukës, lagja 1, Andrea Çaushi posedon një hotel 7 kate, ndërtuar me para të pista, ku kati i parë është përshtatur si bar-kafe.

Në Gjirin e Hartës në Ksamil, Andrea Çaushi ka ndërtuar një restorant me vlerë miliona euro si dhe shfrytëzon edhe plazhin. Pasurinë e ka në emër të familjarëve.

Andrea Çaushi posedon edhe një godinë në Ksamil, ku katin e parë e ka përshtatur si restorant. Pasuria figuron në emrin e vëllait.

Në kompleksin Pallatet Derveni në Tiranë, bosi i drogës posedon disa apartamente dhe lokale në emrin e tij dhe të afërmve.

Aktiviteti kriminal i Çaushit

Andrea Çaushi u arrestua në vitin 2021 gjatë operacionit “Viluni”, si organizator i trafikut të drogës në Itali.

Sipas një dosje të autoriteteve italiane Çaushi furnizonte me drogë dy familje në zonën e Sicilisë, ndërsa hetimet kanë treguar se ai ka patur një miqësi të afërt me Elton Çiçon, i vrarë në 2016 në atentat me armë brenda një lokali në Tiranë.

Ai u lirua një muaj më pas nga burgu nga një gjyqtar i korruptuar i Apelit, ku dyshohet se në këmbim ka marrë 300 mijë euro. Gjyqtarin nuk e bindi dosja me prova e prokurorisë italiane dhe shqiptare.

Në vijim Çaushi arriti të blinte edhe prokurorin e Krimeve të Rënda, duke hequr akuzat ndaj tij. Nëse SPAK do ta hapë këtë dosje, do të llahtarisej publiku.

Sipas një raporti sekret të SHISH, Çaushaj është një nga personat kryesorë që kontrollon trafikun e drogës në jug të Shqipërisë veçanërisht në zonën e Tepelenës, ndërsa paratë e aktivitetit kriminal i pastron përmes disa bizneseve.

Në qershor të vitit 2021, Andrea Caushi, vëllai i tij Visi Caushi dhe shoku i tyre Redjan Hadëri, plagosën rëndë pronarin e lokal “Orange” në Sarandë, Spiro alias Ermal Iljadhi, ndaj të cilit u qëllua me 20 plumba.

Iljadhi dyshohet se u kishte marrë borxh me interes shumën prej 300 mijë dy vëllezërve Çaushi, shumë që e ka përdorur për mobilimin e dy lokaleve verore në Sarandë. Pikërisht mos kthimi i kësaj shume financiare, është bërë shkak për përplasjen me armë.

Edhe këtë herë, organizatori Andrea Caushi ia hodhi drejtësisë, duke korruptuar policinë dhe prokurorinë për manipulimin e provave. Përgjegjësinë e mori ushtari Redjan Hadëri.

Në nëntor të vitit 2021, Andrea Çaushi u prangos nga policia me armë zjarri pa leje. Çaushi u prangos nga agjentët e policisë së Vlorës, teksa lëvizte në qytet me armë pa leje.

Një ditë më pas, Andrea Çaushi u lirua nga burgu nga gjyqtari Sokol Pine, edhe pse ishte kapur në flagrancë me armë pa leje, në këmbim të 50 milionë lekë të vjetra të ofruara nga i arrestuari në formën e garancisë pasurore.

Çaushi arriti ta mbyllte këtë dosje më pas me prokurorin e çështjes, duke manipuluar provat dhe kaluar përgjegjësinë me marrëveshje shokut të tij, Eugert Bakalli. Vijon.../Pamfleti

andrea caushi

Lini një Përgjigje