
Seanca dëgjimore e zhvilluar në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA u shoqërua me tensione të forta politike, ku në qendër të debateve ishte Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Përgjatë afro katër orëve, Rubio u pyet dhe kritikua nga ligjvënësit demokratë, të cilët e sfiduan jo vetëm për politikën e jashtme amerikane dhe konfliktin me Iranin, por edhe për qëndrimet e tij ndaj Presidentit Donald Trump.
Një nga momentet më të nxehta të seancës erdhi kur kongresmeni demokrat Ted Lieu shfaqi video që, sipas tij, tregonin Trumpin duke fjetur gjatë takimeve. Ai akuzoi Rubion se nuk po tregonte të vërtetën kur deklaronte se nuk kishte parë kurrë presidentin në situata të tilla.
Përplasjet vijuan edhe me kongresmenen Sara Jacobs, e cila i kërkoi Rubios të deklaronte se kush i kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Sekretari i Shtetit shmangu përgjigjen, duke argumentuar se nuk ishte thirrur për të diskutuar çështje të politikës së brendshme.
Debati mori një kthesë të pazakontë kur në diskutim u përfshi edhe një raport i “Wall Street Journal” për një palë këpucë që Trump dyshohet se ua kishte dhuruar anëtarëve të kabinetit.
“Kush po flet për këpucët?”, reagoi fillimisht Rubio, përpara se të pranonte se kishte marrë një palë këpucë Florsheim, madje shtoi me ironi se i rrinin shumë mirë.
Në disa momente, Rubio shfaqi hapur irritimin e tij ndaj mënyrës se si po zhvillohej seanca, duke akuzuar disa ligjvënës se po e përdornin dëgjesën për sulme politike dhe jo për të marrë përgjigje.
“A është ky Komiteti i Punëve të Jashtme apo një cirk?”, u shpreh ai gjatë debatit.
Përplasjet mes palëve vijuan deri në fund të seancës, duke e kthyer dëgjesën në një nga debatet më të tensionuara politike të ditëve të fundit në Uashington.
Lini një Përgjigje