TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Prill 2026, 20:50

Diplomatët amatorë të Amerikës janë të dënuar të dështojnë

Shkruar nga Andreas Kluth
Diplomatët amatorë të Amerikës janë të dënuar
Diplomatët e Amerikës

Përmes emërimeve të njerëzve të besuar, por pa përvojë, administrata po minon dekada të profesionalizmit në politikën e jashtme. Kjo qasje ka krijuar një proces kaotik, ku strategjia e paqartë e presidentit po dëmton rëndë rolin udhëheqës të SHBA-së në konfliktet botërore.

Negociatat midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Islamabad ishin të dënuara të dështonin. Kjo nuk do të thotë se raundet e ardhshme, që mbase nisin këtë javë, janë të kota. Por qasja amerikane ndaj diplomacisë i ka sabotuar bisedimet deri më tani për të njëjtat arsye që kanë penguar përpjekjet për një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, apo për ta kthyer armëpushimin e brishtë në Rripin e Gazës në një zgjidhje të qëndrueshme mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Arsyeja e parë është se në mandatin e dytë të Donald Trump-it, SHBA-ja nuk mbështetet më te diplomatët profesionistë dhe ekspertët, por tek amatorët që mund të gëzojnë besimin e presidentit, por që janë krejtësisht jashtë fushës së tyre.

Arsyeja e dytë është se Trump-i, si strategu kryesor, vazhdon të t’u japë negociatorëve të tij objektiva aq të pabesueshëm, konfuzë ose kontradiktorë, saqë edhe diplomatët më dinakë të historisë - si Klemens von Metternich në shekullin XIX apo Henry Kissinger në shekullin XX - do të dështonin.

In disa raste, ai duket madje i vendosur t’i çojë vartësit e tij me dashje drejt dështimit. Kjo do të shpjegonte edhe arsyen pse papritur vendosi zëvendëspresidentin e tij, J.D. Vance, në krye të bisedimeve me Iranin.

Amatorizmi është një problem më vete dhe është pjesë e sulmit total të Trump-it kundër profesionalizmit në të gjithë qeverinë. Qed nga fillimi i mandatit të tij të dytë, zyrtarët që në një administratë normale do të luanin rolet kryesore në diplomaci, janë mënjanuar në role dytësore, ndërsa drejtimin e punëve e kanë marrë miqtë dhe anëtarët e familjes së presidentit.

Një shembull tipik është Marco Rubio. Ai mban postin e Sekretarit të Shtetit dhe atë të Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare (vetëm Kissinger i ka mbajtur të dyja funksionet njëkohësisht).

Por, ndonëse Rubio ka treguar një talent mbresëlënës për mbijetesë politike dhe dëgjohet nga presidenti për çështje si Venezuela dhe Kuba, ka mbetur në periferi sa u përket tre konflikteve të mëdha: Ukrainës, Gazës dhe Iranit.

Në lidhje me këto çështje, titulli jozyrtar i “diplomatit kryesor” i përket “të dërguarit special” Steve Witkoff. Ai është një manjat i pasurive të paluajtshme nga Nju Jorku, mik prej dekadash me Trump-in, por pa asnjë përvojë apo kredencial në diplomaci para kësaj administrate.

Dhe kjo vërehet shumë qartë. Për shembull, Witkoff e kaloi pjesën më të madhe të vitit të kaluar duke udhëtuar drejt Moskës për të folur me kontaktet e tij ruse dhe me presidentin Vladimir Putin, ndërsa çuditërisht “harroi” të vizitonte Kievin.

Kur ishte në Rusi, ai anashkalonte ambasatën amerikane dhe ekspertët e saj, madje ndonjëherë nuk përdorte as përkthyes amerikanë, duke u mbështetur te interpretimi i Kremlinit.

Ai bëri bujë për keq pas një interviste me Tucker Carlson, ku përsëriti pikat e propagandës së Putinit pothuajse fjalë për fjalë, duke mos e kuptuar se Rusia ishte agresori dhe Ukraina viktima. Presidenti e ka bashkuar Witkoff-in me dhëndrin e tij, Jared Kushner.

Ndonëse Kushner ndihmoi në ndërmjetësimin e “Marrëveshjeve të Abrahamit” në mandatin e parë, ai kishte planifikuar që në mandatin e dytë të fokusohej te fondet e tij të investimeve. Por Trump-i kishte ide të tjera, dhe tashmë Kushner e Witkoff po fluturojnë nga njëra negociatë te tjetra, mes Ukrainës, Gazës dhe Iranit. Ata ishin ende në bisedime me emisarët e Teheranit qershorin e vitit të kaluar, kur Trump-i nisi papritur bombardimet atje, dhe sërish në shkurt kur ai nisi luftën.

Në momente të ndryshme, Witkoff dhe Kushner nuk duhej se e kuptonin çfarë po ofronte pala iraniane, sepse u mungonte ekspertiza mbi detajet teknike të fizikës bërthamore e të ngjashme. Në Gazë kanë qenë disi më të suksesshëm, duke siguruar një armëpushim të brishtë.

Por më pas e trumbetuan aq shumë atë hap të vogël si “rilindjen” e Gazës dhe rajonit, sikur po shisnin një projekt luksoz në sektorin imobiliar. “Bordi i Paqes” që supozohej të menaxhonte rindërtimin - pa përfshirë asnjë palestinez - duket se është shpërndarë, i zënë me çështje të tjera, jo më pak me vanitetin e vetë Trump-it.

Veteranët e diplomacisë tradicionale, si Aaron David Miller dhe Daniel Kurtzer, i vlerësojnë Witkoff dhe Kushner me notën mbetëse “F” dhe e konsiderojnë si një “lëmsh të vërtetë” procesin diplomatik të administratës.

Megjithatë, faji nuk mund t’u lihet vetëm atyre që ekzekutojnë strategjinë. Pyetja më e madhe është nëse kjo strategji është realiste dhe koherente. Përgjigjja është “jo”, dhe ky është faji i presidentit.

Si mundet kushdo, qoftë edhe një Metternich modern, të negociojë fundin e luftës në Ukrainë, kur komandanti i përgjithshëm amerikan ushtron më shumë presion mbi vendin e pushtuar sesa mbi pushtuesin?

Dhe çfarë mund të bënte qoftë edhe një Kissinger në konfliktin izraelito-palestinez, kur Trumpi i bindet verbërisht kryeministrit Benjamin Netanyahu, në vend që të frenojë dhunën e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor?

Kur nisi “operacionin ushtarak” kundër Iranit (një jehonë ogurzeze e “operacionit special” të Putinit në Ukrainë), Trumpi duket se u ndikua tej mase nga Netanyahu, duke injoruar kundërshtitë e ndrojtura të këshilltarëve të tij.

Kundërshtari më i zëshëm ishte Vance, i cili ka qenë vazhdimisht kundër aventurave ushtarake jashtë vendit. Nëse kjo luftë kthehet në katastrofë, Vance mund të duket si largpamës, dhe kjo nuk i pëlqen shefit.

Kështu, Witkoff dhe Kushner u dërguan në Islamabad si pjesë e një delegacioni që tani udhëhiqej nga zëvendëspresidenti. Të angazhuar në bisedime maratonë 21-orëshe me kolegët iranianë, trios amerikane i duhej të manovronte mes ideve kontradiktore.

Ata duhej t’i përmbaheshin linjës së Trumpit se SHBA-ja kishte fituar tashmë, ndonëse iranianët besojnë se janë më të fortë se më parë. Po ashtu, duhej të bënin pazar për programin bërthamor të Iranit, duke u përpjekur të shmangnin çdo përshtypje se po negocionin diçka të ngjashme me marrëveshjen e epokës së Obamës, të cilën Trumpi e kishte braktisur me përbuzje.

Në një drekë para bisedimeve, Trump-i bëri një shaka para audiencës ku ndodhej edhe Vance. Ai tha se dëshiron një marrëveshje, “por nëse nuk ndodh, do të fajësoj J.D. Vance; nëse ndodh, të gjitha meritat do t'i marr unë...”.

Trump mund të jetë një takticien shumë i mirë në lojën politike “unë i pari”. Por ai është një strateg i mjerë në lojën pafundësisht më të madhe të gjeopolitikës “Amerika e Para”./ Përshtati "Pamfleti" nga “Bloomberg”.

Lini një Përgjigje