Greqia do të ndalojë përdorimin e mediave sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç duke nisur nga 1 janari 2027. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis përmes një deklarate publike.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Mitsotakis e cilësoi këtë si një vendim të vështirë, por të domosdoshëm, duke theksuar se Greqia synon të jetë ndër vendet e para që ndërmarrin një hap të tillë.
“Kemi vendosur të ecim përpara me diçka të vështirë, por të domosdoshme: të ndalojmë aksesin në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo iniciativë synon të nxisë edhe Bashkimin Europian të ndjekë të njëjtën rrugë.
Kryeministri pranoi se masa mund të mos pritet mirë nga të rinjtë, por theksoi se roli i institucioneve nuk është të jenë “të këndshme”, por të mbrojnë mirëqenien e tyre.
Ai theksoi se qëllimi nuk është distancimi nga teknologjia, por vendosja e kufijve në rastet kur ajo ndikon negativisht në shëndetin mendor dhe emocional të fëmijëve.
Në fund, Mitsotakis iu drejtua prindërve duke theksuar se asnjë ligj nuk mund të zëvendësojë rolin e tyre, ndërsa këtë politikë e cilësoi si një mjet mbështetës.
Lini një Përgjigje