Bota15 Prill 2024, 08:20

Sulmi ndaj Izraelit, reagon SHBA: Kemi rrëzuar 80 dronë dhe 6 raketa të lëshuara nga Irani dhe Jemeni!

Shkruar nga Pamfleti

Sulmi ndaj Izraelit, reagon SHBA: Kemi rrëzuar 80 dronë dhe 6 raketa

Midis 13 dhe 14 prillit, forcat e Komandës Qendrore të SHBA (Centcom), të mbështetura nga shkatërruesit e Komandës Evropiane të SHBA-së, goditën me sukses më shumë se 80 dronë dhe të paktën gjashtë raketa balistike që synonin të godisnin Izraelin nga Irani dhe Jemeni.

Vetë Centcom e raporton këtë në një postim në X, duke nënvizuar se "sulmi i paparë dhe i pamatur i Iranit rrezikon stabilitetin rajonal dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe forcave të koalicionit".

“Forcat amerikane do të vazhdojnë të mbrojnë Izraelin kundër këtyre veprimeve të rrezikshme dhe të punojnë me të gjithë partnerët tanë rajonalë për të rritur sigurinë në rajon".

Ndërkohë, në një postim në rrjetet sociale Biden falënderon forcat e armatosura amerikane për punën që bënë duke zmbrapsur 99% të raketave e dronëve iranianë, bashkë me Izraelin dhe aleatë të tjerë.

"Unë fola sot me anëtarët e skuadroneve luftarake 494 dhe 335 për t'i lavdëruar ata për aftësinë e tyre të jashtëzakonshme fluturuese dhe aftësinë për të mbrojtur Izraelin nga një sulm ajror i paprecedentë nga Irani. Këta ushtarakë të guximshëm na bëjnë të gjithëve krenarë”, shkruan Biden.