TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Korrik 2026, 12:02

Ballkani Perëndimor me dy shpejtësi: Ligjet kalojnë, reformat ngecin

Shkruar nga Bronwyn Jones

 Ballkani Perëndimor me dy shpejtësi: Ligjet kalojnë, reformat

Më shumë se një vit pas nisjes së Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian, vetëm tre vende të Ballkanit Perëndimor kanë përfituar më shumë se një pagesë të lidhur me reformat. Raporti i Euractiv tregon se fondet e BE-së mund të nxisin ndryshime, por nuk mjaftojnë për të kapërcyer krizën politike dhe mungesën e zbatimit real të reformave...

Më shumë se një vit pas nisjes së Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, vetëm Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur të sigurojnë më shumë se një disbursim fondesh të kushtëzuar nga përmbushja e reformave.

Sipas një analize të Euractiv, ritmet e ndryshme të zbatimit të planit kanë nxjerrë në pah një Ballkan Perëndimor me “dy shpejtësi”. Nga njëra anë janë vendet që po ecin përpara me reformat, ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë shtetet e bllokuara nga krizat politike dhe institucionale.

Komisioni Evropian e prezantoi këtë plan në vitin 2023 për të përshpejtuar integrimin e gjashtë vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Fondet shpërndahen vetëm pas përmbushjes së reformave konkrete në ekonomi, administratë, shtetin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve, ndërsa vendet përfitojnë gradualisht edhe qasje më të gjerë në tregun e përbashkët evropian.

“Plani i Rritjes është përshpejtuesi i Ballkanit Perëndimor drejt familjes evropiane”, deklaroi komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë një vizite në Shkup vitin e kaluar.Megjithatë, analisti i Qendrës Evropiane të Politikave në Beograd, Marko Todorović, vlerëson se programi nuk i ka përmbushur pritshmëritë fillestare.

“U prezantua si një mekanizëm që do të afronte ekonomikisht rajonin me Bashkimin Evropian dhe do t'i hapte rrugën tregut të përbashkët. Në këtë aspekt, rezultatet kanë qenë më të dobëta se sa ishte premtuar,” tha ai.

Kosova dhe Bosnja mbeten pas

Kosova mori në prill 61.8 milionë euro parafinancim, por kriza politike që zgjat prej rreth 18 muajsh ka penguar miratimin e reformave të nevojshme. Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, deklaroi për Euractiv se vendi nuk mund të ecë përpara pa zgjidhjen e ngërçit politik.

Sipas qeverisë së Kosovës, vendi ka humbur tashmë rreth 40 milionë euro, pasi nuk arriti të përmbushte objektivat e reformave deri në fund të qershorit. Nëse deri në fund të vitit nuk krijohet një qeveri funksionale që të miratojë ligjet e kërkuara, humbjet mund të arrijnë deri në 250 milionë euro.

Edhe Bosnja dhe Hercegovina nuk ka përfunduar ende asnjë nga reformat e parashikuara në kuadër të planit dhe për këtë arsye nuk ka mundur të përfitojë fondet. Gjatë një vizite të fundit në Sarajevë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi se çdo vonesë do të ketë pasoja financiare. Sipas saj, Bosnja ka humbur tashmë 108 milionë euro, ndërsa deri në fund të vitit kjo shifër mund të kalojë 370 milionë euro.

Në të dyja rastet, analiza thekson se pengesa kryesore mbetet paraliza politike, e cila i pamundëson institucionet të miratojnë vendimet dhe ligjet e nevojshme për të përfituar fondet evropiane.

Serbia nën vëzhgim

Edhe Serbia po has vështirësi. Raportuesi i Parlamentit Evropian, Tonino Picula, ka folur për një proces të “prapakthimit demokratik” dhe ka kërkuar pezullimin e pagesave të mëtejshme derisa Beogradi të tregojë angazhim më të madh ndaj reformave.

Serbia përfitoi vetëm një pagesë në janar. “Serbia ka një administratë të aftë dhe një shumicë të qëndrueshme parlamentare. Problemi nuk është mungesa e kapaciteteve, por mungesa e prioriteteve,” tha Todorović, duke shtuar se fondet e papërdorura mund t'u rialokohen vendeve që po ecin më shpejt me reformat.

Shqipëria ndër vendet që ecin përpara, por shumëçka mbetet ende në letër

Ndërkohë, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë siguruar disa disbursime, pavarësisht sfidave të tyre politike. Sipas analizës, shumicat e qëndrueshme qeverisëse në Shqipëri dhe kompromiset politike në Mal të Zi kanë ndihmuar në miratimin e reformave të kërkuara nga Brukseli.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se përmbushja e objektivave në letër nuk është domosdoshmërisht tregues i ndryshimeve reale. Nevenka Vuksanović, drejtoreshë e Qendrës për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut në Podgoricë, thotë se shpesh mungon dokumentacioni që do të provonte zbatimin konkret të reformave.

Sipas saj, hendeku më i madh mes progresit të deklaruar dhe atij real shfaqet pikërisht në dy fushat që Bashkimi Evropian i konsideron më të rëndësishme: pavarësinë e gjyqësorit dhe shtetin e së drejtës.

Edhe Maqedonia e Veriut ka avancuar me masat e Planit të Rritjes, ndonëse ende nuk ka miratuar ndryshimet kushtetuese të nevojshme për të çuar përpara negociatat e anëtarësimit.

Për Todorović, problemi kryesor mbetet fakti se miratimi i reformave nuk garanton zbatimin e tyre.

“Nëse një vend paguhet për të miratuar një ligj brenda afatit, ai e miraton ligjin, ndërsa zbatimi mbetet për më vonë”, shton më tej, Megjithatë, ai vlerëson se Plani i Rritjes ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm: për herë të parë ekziston një listë publike, me afate të qarta dhe vlerë financiare për çdo reformë, duke e bërë procesin më konkret sesa kriteret tradicionale të anëtarësimit.

Komisioni Evropian thekson se programi është njëkohësisht instrument integrimi dhe test i aftësisë së qeverive për të realizuar reformat. Bilanci i vitit të parë tregon se stimujt financiarë mund të përshpejtojnë procesin e ndryshimeve, por nuk mund të zëvendësojnë stabilitetin politik, institucionet funksionale dhe angazhimin afatgjatë për zbatimin real të reformave./Pamfleti nga “Euractiv”

ballkani perëndimor reformat ngecin

Lini një Përgjigje