Samiti i liderëve të Bashkimit Europian ka nisur në mënyrën më të pazakontë për Kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico, i cili u përball me një incident në aeroportin e Brukselit, ku avioni i tij qeveritar pësoi dëme serioze pas një përplasjeje me një automjet shërbimi.
Ngjarja ndodhi pak pas mbërritjes së delegacionit sllovak në kryeqytetin belg, kur një automjet me shkallë për pasagjerë u përplas me trupin e avionit në mënyrë të tillë që ky i fundit u shpall teknikisht i papërshtatshëm për fluturimin e kthimit.
Lajmin e bëri publik vetë Fico në një postim zyrtar, ku ironizoi fillimin e samitit duke e quajtur “një hyrje të keqe në një samit të vështirë”. Ai shtoi se avioni do të duhet të qëndrojë në Bruksel për riparime, ndërsa nuk dha detaje se si do të organizohet kthimi i tij në Sllovaki.
Në të njëjtën deklaratë, Fico vuri në dukje me ton të qëllimshëm mungesën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në samit, ndaj të cilit ai rikonfirmoi mbështetjen e Sllovakisë në qëndrimet e debatueshme të Beogradit në rajon.
Kujtojmë se Kryeministri sllovak ka qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare edhe më parë, pasi në maj të vitit 2024 u qëllua katër herë nga një 71-vjeçar në një atentat që tronditi opinionin publik europian dhe që u cilësua si sulmi më i rëndë ndaj një lideri politik në BE gjatë dy dekadave të fundit.
Lini një Përgjigje