Mazhoranca zhvilloi në fshehtësi debatin për huanë 302 milionë dollarë. Opozita votoi pro marrëveshjes, por akuzoi qeverinë për shkelje të Kushtetutës dhe mungesë transparence.
Kuvendi miratoi me 74 vota marrëveshjen e huasë direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara për financim të jashtëm ushtarak në vlerën 302 milionë dollarë. Megjithatë, mbetet mister se çfarë u diskutua gjatë shqyrtimit të saj, pasi mazhoranca vendosi që debati të zhvillohej me dyer të mbyllura.
Partia Socialiste kërkoi që seanca të mos ishte publike, me argumentin se marrëveshja përmban të dhëna sekrete. Kërkesa u miratua me votat e mazhorancës, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës. Për publikun dhe median mbeti i hapur vetëm momenti i votimit, ndërsa përmbajtja e diskutimeve nuk u bë publike.
Para se seanca të mbyllej, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e cilësoi marrëveshjen historike dhe tha se ajo është një dëshmi e besimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë. Sipas tij, fondet do të përdoren ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura sipas standardeve të NATO-s. Shqipëria do të ketë 48 muaj kohë për të aktivizuar fondet dhe deri në 12 vjet për shlyerjen e huasë.
Opozita deklaroi se nuk ishte njohur me përmbajtjen e marrëveshjes dhe e cilësoi procedurën antikushtetuese. Megjithatë, Partia Demokratike votoi pro marrëveshjes, duke sqaruar se mbështet bashkëpunimin strategjik me SHBA-në, por jo mënyrën se si qeveria e solli për miratim në Kuvend.
Miratimi i huasë vjen në një moment delikat për Shqipërinë në raport me angazhimet ndaj NATO-s. Sipas medias holandeze NOS, e cila i referohet burimeve të Aleancës, Shqipëria, Republika Çeke dhe Sllovenia janë tre vendet që nuk kanë arritur objektivin minimal prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shpenzimet e mbrojtjes gjatë vitit 2024.
Në muajin mars, NATO deklaroi se të gjitha vendet anëtare e kishin përmbushur pragun prej 2%, por një verifikim i mëvonshëm zbuloi se disa shtete kishin përfshirë në llogaritje shpenzime që nuk konsiderohen investime të mbrojtjes sipas rregullave të Aleancës. Sipas një zyrtari të lartë të NATO-s, Shqipëria dhe Sllovenia rezultojnë rreth 0.5 pikë përqindjeje nën objektivin e kërkuar.
Çështja merr rëndësi edhe më të madhe në një kohë kur Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen deri në 5% të PBB-së. Paralelisht, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka ushtruar presion ndaj vendeve që nuk përmbushin angazhimet, duke paralajmëruar për pasoja politike dhe strategjike.
Sipas të njëjtave burime, ekziston rreziku që Shqipëria të mos arrijë sërish objektivin prej 2% edhe gjatë këtij viti. Në qarqet politike është folur gjithashtu se mosrealizimi i angazhimeve financiare ndaj NATO-s ka ngritur pikëpyetje edhe për organizimin e Samitit të Aleancës në Tiranë vitin e ardhshëm, një zhvillim që do të përbënte një goditje politike për qeverinë e Edi Ramës.
Në këtë kontekst, huaja 302 milionë dollarëshe nga SHBA shihet edhe si një mundësi për të rritur investimet në mbrojtje dhe për të afruar Shqipërinë me objektivat e kërkuara nga Aleanca, megjithëse mbetet e paqartë se çfarë u diskutua konkretisht në seancën e mbyllur që parapriu miratimin e saj. /Pamfleti
Po i ben rrush e kumbulla me dhendrrin e trapit.
Sekret?? Çudi! Behet fjale per armatim amerikan qe ble Shqiperia, per t’ja kaluar Ukraines, so te gjitha vendet anetare te Natos. Nuk eshte aspak sekret pasi kjo eshte votuar ne samitin e NATOs dhe egziston dhe ne deklaraten zyrtare. Per shumicen e vendeve eshte mjet karamele per Donald Trapin dhe per te arritur perqindjen prej 2% te PBB. Keta e vene sekret per ti thene Trapit qe keta jane me te miret e me te mire se keta nuk ka. Kjo eshte njelloj si karamelja me pagesen josekrete te 4.3 milion eurove per shokun nazist te Trapit para dy javesh. Turp per mashtruesit nacional-socialiste te RamaBerishes.