
Sulmi masiv ukrainas ndaj avionëve bombardues rusë, ka treguar se armët moderne dhe të lira mund të shkatërrojnë armë të tjera që vlejnë vlerë miliarda euro. Por edhe se teknologjitë komerciale, janë gjithnjë e më të disponueshme.
Pas sulmit të papritur ukrainas fundjavën e kaluar, në të cilin u përdorën shumë dronë të vegjël për të goditur dhe shkatërruar avionë bombardues strategjikë rusë, ushtritë në të gjithë botën po mësojnë leksionet shumë të rëndësishme në lidhje me mbrojtjen e infrastrukturës dhe personelit ushtarak.
Midis tyre është edhe ushtria e SHBA-së, e cila ka vendosur prej kohësh të kryejë një transformim, duke e pranuar se ajo që ndodhi në Rusi, ishte konfirmimi i disa prej ndryshimeve rrënjësore që forca e saj e armatosur po përpiqet të zbatojë në mënyrën e blerjes dhe menaxhimit të aftësive në të ardhmen.
Deri dje, për të pasur në dispozicion një armë efektive, ishte e nevojshme që ajo të blihej pas përfundimit të procedurave të vlerësimit dhe testimit që kërkojnë vite pune. Sot, kjo gjë nuk është më e mundur.
Gjenerali Randy George, kryetar i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë së SHBA, tha gjatë Exchange, takimit mbi inteligjencën artificiale që nisi të hënën dhe përfundoi të enjten, organizuar nga Projekti i Studimeve Speciale Konkurruese në Uashington: “Sulmi ukrainas ndaj Rusisë, ishte një shembull i shkëlqyer se sa shpejt po e ndryshon teknologjia fushën e betejës. Gjatë 2 viteve të fundit, kemi vënë re se të gjithë po flasin për cikle planifikimi 5 apo 10-vjeçare. Mendoj se kjo është thjesht një qasje e vjetruar”.
George theksoi se teknologjia po ndryshon shumë shpejt në fushën e betejës, dhe nuk mund të lidhet me programe të mëdha projektimi, prodhimi dhe blerje, që kërkojnë vite të tëra zhvillimi dhe që pasi të jenë funksionale, mund të rezultojnë kryesisht të vjetruara.
Gjenerali tha se duhet të reduktohet koha që duhet, nga zhvillimi i sistemeve të reja deri në momentin e vendosjes së tyre në dispozicion të ushtarëve, sidomos pasi shumë nga këto aftësi, si për shembull dronët, pajisjet e komunikimit dhe mjetet e luftës elektronike, janë gjithnjë e më të disponueshme në tregun komercial.
“Ajo që duhet të bëjmë”, tha George, “është të sigurohemi që të jemi në një hap me kohën, duke ndryshuar proceset për të qenë të sigurt se po u ofrojmë trupave pajisjet dhe aftësitë fituese që ata e dinë se u nevojiten”.
“Këtej e tutje, duhet të jemi më të shkathët. Për shembull, dronët do të ndryshojnë vazhdimisht. Ata do të jenë në gjendje të integrojnë sisteme elektronike shumë më të sofistikuara, dhe të transmetojnë informacione që sot vijnë vetëm nga pajisjet e klasifikuara.
Po ashtu, duhet të përpiqemi të luajmë rolin e ‘maces me miun’ me sistemet kundër-dronëve, prandaj duhet të punojmë që të blejmë sa më shpejt sistemet e teknologjisë më të fundit. Pra, do të na duhet shumë më tepër shkathtësi në mënyrën se si blejmë. Ndërkaq, ajo që na duhet është të jemi në gjendje të testojmë teknologjitë e reja në stërvitje, për të kuptuar veçoritë dhe potencialin e tyre, por edhe kufizimet e tyre”, theksoi më tej George.
Ushtaraku i lartë amerikanë, u ndal edhe tek performanca e dronëve të vegjël ushtarakë që sot për sot, për sa i përket cilësisë së videos së transmetuar, sasisë së të dhënave që ofrojnë etj, janë inferiorë ndaj atyre që janë në shitje për përdorim rekreativ ose profesional.
George tha se një nga njësitë e Ushtrisë Amerikane që sapo shkoi në poligonin e Qendrës së Trajnimit të Gatishmërisë së Përbashkët në Fort Johnson, Luiziana, një vend që ofron skenarët më realistë të luftimit, ku forcat simulojnë një fushatë beteje kundër një armiku aktiv, kishte sjellë gati 400 dronë.
"Një numër shumë i madh. Dhe ekziston rreziku i vendosjes së të njëjtave sisteme për shumë vite, sepse teknologjia ndryshon kaq shpejt dhe duhen vetëm muaj për të gjetur një pajisje më moderne në funksion se sa ajo që keni në dispozicion, edhe pse ne i përditësojmë vazhdimisht ato, dhe kjo është ajo në të cilën duhet të përqendrohemi për të ardhmen”, përfundoi George.
Ai vuri po ashtu në dukje, se sulmi me dron i fundjavës së kaluar në Rusi, e përmbysi të ashtuquajturën “kurbë të kostos”, pasi Kievi përdori sisteme relativisht të lira, që kushtojnë maksimumi qindra dollarë droni, për të shkatërruar një fuqi luftarake ruse me vlerë miliarda dollarë.
Saktësisht e kundërta e asaj që ndodhi në Detin e Kuq, ku raketa shumëmilionë dollarëshe u përdorën për të rrëzuar dronë shumë më të lirë. Nga ana tjetër, sulmi i fundit ukrainas në Rusi, tregoi edhe një herë, madje më qartë se kurrë më parë, se si fusha e betejës po bëhet “transparente”, gjë që do të thotë se nuk ka më vend për t’u fshehur.
“Sot po diskutohet shumë mbi faktin që nuk mund të fshihesh më, qoftë në aspektin e ushtarëve apo pajisjeve ushtarake. Prandaj duhet të zvogëlosh dukshmërinë tënde, dhe për këtë po bisedojmë gjithnjë e më shpesh me trupat dhe komandantët tanë”, tha George.
Sulmi ndaj bazave ushtarake u filmua dhe u pa në të gjithë botën brenda pak orëve pasi ndodhi. Kjo falë edhe natyrës gjithnjë e më të hapur të informacionit ushtarak, që ka ndikim mbi mënyrën se si do të veprojnë ushtritë në të ardhmen.
Për këtë arsye Sekretari i Shtetit për Ushtrinë, avokati, ish-oficeri, veterani dhe tani politikani konservator Dan Driscoll, deklaroi se dëshiron të jetë një “motor inovacioni” për Departamentin e Mbrojtjes, duke marrë idetë dhe teknologjitë më të mira nga sektori komercial, dhe duke i testuar ato në ushtrinë amerikane.
“Ne besojmë se ushtria duhet të jetë motori i inovacionit i Pentagonit, por ne duhet ta fitojmë këtë të drejtë”- tha Driscoll në takimin e së hënës./ Përshtati "Pamfleti" nga “Panorama.it”
Lini një Përgjigje