
Abuzimi, fëmijët sekretë, udhëtimet luksoze dhe skandalet në dhomat e gjumit:Monarkitë e vjetra evropiane të Spanjës, Mbretërisë së Bashkuar, Belgjikës, Holandës dhe Norvegjisë e kanë gjithnjë e më të vështirë të fshehin skandalet e tyre moderne. Media nuk po hesht më dhe opinioni publik është më kritik se kurrë...
Kur autoritetet franceze akuzuan Princin Luis Fernando de Orleans y Borbón për trafik droge, Alfonso XIII i Spanjës ndërhyri shpejt për t’u siguruar që skandali që përfshinte kushëririn e tij të kalonte me sa më pak bujë. Ishte viti 1924, diktatura e Miguel Primo de Rivera sapo kishte filluar dhe mbreti spanjoll arriti ta mbyllte çështjen duke ushtruar presion mbi median dhe duke e zhdukur nga skena publike të afërmin e tij problematik.
I zhveshur nga titujt e tij dhe i dënuar me mërgim, Luis Fernando vdiq në Paris në vitin 1945, i varfër dhe i harruar nga populli spanjoll. Por 80 vjet pas vdekjes së princit, Kurora nuk e ka më aq të lehtë t’i fshehë polemikat e saj nën qilim. Juan Carlos I, nipi i Alfonsos XIII, sapo ka botuar kujtimet e tij në Francë, sipas tij me qëllim të pajtohet me të kaluarën, familjen dhe Spanjën.
Por libri “Pajtimi”, i cili do të mbërrijë në dhjetor në libraritë spanjolle, vetëm sa ka rihapur plagët e vjetra. Televizioni, gazetat, botimet online, revistat dhe mediat sociale të specializuara mbi monarkitë, kanë kaluar ditë të tëra duke analizuar çështjet më të ndjeshme të librit pa kufizime: lidhjen pothuajse baba-bir që monarku kishte me Francisco Franco-n dhe bashkëpunimin e tij me diktaturën; rolin e tij në përpjekjen për grusht shteti të 23 shkurtit 1981; pasurinë e dyshimtë; marrëdhëniet e tij jashtëmartesore; dhe madje deri edhe mosmarrëveshjet e tij personale me Mbretin aktual Felipe VI dhe Mbretëreshën Letizia.
Omerta, heshtja që gëzonte Juan Carlos është një gjë e së kaluarës. Ky pakt nisi të prishej që në verën e vitit 1992, kur kryeministri i atëhershëm i Spanjës, Felipe González, u detyrua të zbulonte se nuk mund të emëronte ot një ministër sepse mbreti nuk ishte në Spanjë.
Një frazë e thjeshtë - “Mbreti nuk është këtu” - shkaktoi të çarën e parë në tabunë e madhe të tranzicionit spanjoll drejt demokracisë: fundin e heshtjes rreth jetës private të kreut të shtetit.
Në mesin e atij kaosi, El País raportoi se mbreti ishte në Zvicër duke iu nënshtruar “një kontrolli rutinë”. Juan Carlos I u detyrua të kthehej shpejt në Madrid për t’u takuar me Gonzálezin, por ai nuk arriti të shuante thashethemet rreth natyrës së vërtetë të mungesës së tij.
Në një veprim të paprecedentë, shtypi i kohës foli hapur për miqësinë e tij me një zonjë të njohur nga Majorka, dhe e vuri në dukje këtë marrëdhënie si arsyen e udhëtimeve të tij sekrete jashtë vendit. Njëzet vjet më vonë, në vitin 2012, një tjetër udhëtim i pa njoftuar, këtë herë në Botsvana, dhe një tjetër aferë, me Corinna Larsen-in, shkatërruan më në fund tabunë e madhe që e kishte bërë prej kohësh monarkun një figurë të paprekshme për shtypin spanjoll.
“Në rastin e Spanjës, pati për shumë vite një pakt të heshtjes. Redaktorët e mediave kryesore u thanë gazetarëve të tyre: Kini kujdes çfarë shkruani për familjen mbretërore. Ne s’duam probleme. Ishte një institucion që sapo ishte restauruar dhe ne duhej të ishim të kujdesshëm me ta”- e pranon Carmen Enríquez, gazetare për 37 vite e televizionit publik të Spanjës, TVE, duke punuar si korrespondente mbretërore nga viti 1990 deri në vitin 2007.
Sipas Enríquez, media dhe rrjetet sociale kanë luajtur një rol të madh në valën aktuale të hapjes. “Më parë, kishte shumë më pak transparencë; shumë më pak gjëra dilnin në dritë. Familja mbretërore ishte e mbrojtur. Tani, media dhe të gjitha institucionet janë shumë të vëmendshme ndaj asaj që thuhet në rrjetet sociale dhe kjo i bën ata të shkojnë pak më tej kur raportojnë. Duket sikur drita ka hyrë edhe aty, ndonjëherë kundër interesave dhe imazhit të familjes mbretërore”, thotë ajo.
Në një linjë më të edhe edhe Antonio Zarzalejos, ish-drejtor i gazetës monarkiste ABC: “Për shkak të teknologjive të reja, mediat tradicionale e kanë humbur rolin e tyre ekskluziv si ndërmjetës. Ky është një ndryshim paradigme në informacion, komunikim dhe transparencë në të gjitha shoqëritë. Dhe kjo ndikon seriozisht monarkitë, një institucion që është nga domosdoshmëria i rezervuar në raport me publikun.
Monarkia duhet të ruajë gjithmonë një distancë liturgjike për të ruajtur mistikën e saj, dhe kjo bie ndesh me kërkesat aktuale për informacion dhe transparencë. Kjo përplasje, nënvizon vështirësinë e konsiderueshme që monarkitë, si institucione jo të zgjedhura, kanë për t’u shpjeguar brenda konteksteve demokratike”- thekson ai.
Por monarkia spanjolle nuk është e vetmja që është tronditur nga një libër. Botimi i fundit i kujtimeve pas vdekjes së Virginia Giuffre në Mbretërinë e Bashkuar e ka vënë në një pozicion të vështirë Mbretin Charles III.
Zbulimet e Giuffre në librin “Vajza e askujt”, në të cilin ajo akuzon Princin Andrew për abuzim seksual, dhe e përfshin atë në rrjetin e trafikimit të manjatit amerikan Jeffrey Epstein, e kanë detyruar monarkun britanik të mohojë vëllain e tij, duke i hequr titujt dhe nderimet, duke e larguar nga familja mbretërore dhe dëbuar nga pronat e familjes Windsor.
“Në shtëpitë mbretërore ekziston një ligj darvinian për mbijetesën e tyre: ata që e kërcënojnë institucionin dëbohen. Kështu ndodhi edhe me vëllain e Charles III. Por edhe me Mbretëreshën Juliana të Holandës kur burri i saj, Princi Bernhard, u akuzua për marrje ryshfeti. Apo me Mbretin Edward VIII. Kjo është një praktikë shumë e vjetër. Ferdinandi VII nuk e lejoi babain e tij, Charles IV, që të vdiste në Spanjë. Alfonso XIII nuk e lejoi gjyshen e tij, Isabella II, të vdiste në Spanjë.
Por ky ligj, dikur i pashkruar, është sot më i vështirë për t’u zbatuar për shkak të rritjes së transparencës. Ky ndryshim në standarde, imponon një kufizim në numrin e anëtarëve në familjet mbretërore. Ato nuk mund të jenë më shumë të mëdha. Mbreti Felipe VI ka qenë shumë i zgjuar në këtë drejtim, duke e kufizuar familjen mbretërore në 6 anëtarë”- shpjegon Zarzalejos.
Vendimi i Mbretit Charles u përpoq të zvogëlonte sadopak dëmin e shkaktuar nga vëllai i tij, por mërgimi virtual i Andrew Mountbatten-Windsor vetëm sa ka ngritur pyetje të reja. Pse ish-princi është ende në radhën e trashëgimisë së fronit? A do të shkojë të jetojë në Sandringham, pronën private të monarkut britanik, siç sugjerojnë disa media? Kush do ta mbështesë tani?
Sipas një artikulli të kohëve të fundit në The Guardian, ish-Duka i Jorkut mund të marrë një pagesë vjetore që të mos përfundojë si nipi i tij, Princi Harry, që tregon shpesh në media jetën e tij të re si një njeri i thjeshtë. Në vitin 1990, Baudouin I i Belgjikës abdikoi për 36 orë për të shmangur nënshkrimin e ligjit për abortin.
Monarku, një katolik i devotshëm, përmendi kundërshtimin e ndërgjegjes. Por sot belgët nuk janë aq tolerantë ndaj tekave të mbretërve të tyre. Në tetor 2020, gjykatat belge njohën 52-vjeçaren Delphine Bowl si vajzën legjitime të Albertit II.
Brenda natës, mbretit aktual, Philippe, djali i Albertit dhe nipi i Baudouin, iu desh t’i hapte dyert e pallatit një motre të re dhe t’i jepte asaj titullin princeshë. Pavarësisht se ishte anëtare e plotë e Shtëpisë Mbretërore, në vitin 2023 Bowl paraqiti një ankesë te kryeministri i vendit për mos pasjen e të njëjtit trajtim si vëllezërit dhe motrat e saj, pasi ajo ishte përjashtuar nga ngjarjet zyrtare të familjes mbretërore.
Tani, Mbreti Philippe i Belgjikës duhet të mirëpresë një tjetër anëtar të ri dhe të papritur në pallat. Vëllai i tij, Princi Laurent, 62 vjeç, sapo ka pranuar se ka një djalë të fshehtë. Shtypi belg ka raportuar se mbreti do t’i japë titullin princ nipit të tij, Clément Vandenkerckhove, 25 vjeç.
Por ai nuk do të jetë anëtar i Shtëpisë Mbretërore, nuk do të përfshihet në linjën e trashëgimisë së fronit dhe nuk do të marrë një pagesë zyrtare. Mediat nuk po heshtin më për teprimet e mbretërve dhe princave të tyre, dhe opinioni publik është gjithnjë e më kritik ndaj tyre.
Pushimet luksoze private të mbretit të Holandës Willem-Alexander, mbretëreshës Máxima dhe vajzave të tyre në Mozambik dhe Greqi, janë një temë e përsëritur debati në vend. Këtë verë, shtypi holandez kritikoi pushimin 8-javor që monarkët kaluan jashtë Holandës.
Ndër destinacionet e tyre të preferuara është ishulli Spetses, një enklavë ekskluzive në Detin Egje ku ata kanë një shtëpi dhe një jaht. Udhëtimet sekrete nga Shtëpia Portokalli janë shpesh problematike. Princesha Amalia, mbretëresha e ardhshme, jetoi fshehurazi në Madrid gjatë vitit 2023, për shkak të kërcënimeve nga Mafia Mocro.
Ky grupim i fuqishëm dhe i frikshëm i krimit të organizuar në Evropë, ofroi një shpërblim prej dhjetëra miliona eurosh për vrasjen apo rrëmbimin e trashëgimtares së fronit, megjithëse detajet dolën vetëm pasi princesha doli jashtë rrezikut.
As monarkitë skandinave në dukje idilike, nuk janë imune ndaj skandaleve dhe shqyrtimit publik. Princi i Kurorës së Norvegjisë Haakon dhe Princesha Mette-Marit, kanë qenë në qendër të vëmendjes së medias për muaj të tërë për shkak të sjelljes kriminale të Marius Borg, djalit që princesha e pati para se të martohej me mbretin e ardhshëm.
Borg, 28 vjeç, përballet me rreth 30 akuza për vepra të ndryshme penale, duke përfshirë tre raste të dyshuara për përdhunim, abuzim dhe sulm, kërcënime dhe shkelje të urdhrave të mbrojtjes. Djali i Mette-Marit, nuk ka mbajtur kurrë një rol zyrtar në familjen mbretërore norvegjeze, por ai është rritur në pallat së bashku me Ingrid Alexandra dhe Sverre Magnus, fëmijët që Princesha e Kurorës pati me Haakon, me të gjitha privilegjet e përfshira.
Torgeir Krokfjord dhe Oistein Monsen, gazetarë të “Dagbladet”, gazetës më të lexuar në vend, sapo kanë botuar një libër të titulluar “Vija të Bardha, Dele të Zeza”. Në të, ata pretendojnë se Mette-Marit mund të jetë përpjekur të pengojë hetimin e policisë për të mbrojtur djalin e saj.
Shtëpia Mbretërore Norvegjeze nuk ka komentuar librin, por zbulimet e tij dhe rrjedha e vazhdueshme e informacionit rreth çështjes “Marius Borg” kanë ndikuar te Princesha Ingrid, trashëgimtarja e fronit. 21-vjeçarja ka dhënë kohët e fundit një intervistë për televizionin publik NRK, ku ajo e pranoi se këto janë “çështje shumë serioze”, dhe kjo ka krijuar vështirësi për familjen e saj dhe “për të gjithë të prekurit nga çështja”.
“Drejtësia do të ketë fjalën e fundit!”- përfundoi mbesa e Mbretit Harald dhe Mbretëreshës Sonja. Gjyqi kundër vëllait të saj pritet të fillojë në janar 2026. Kabinetet e krizave janë tashmë të zakonshme në familjet mbretërore, por monarkitë evropiane po e kanë gjithnjë e më të vështirë të fshijnë dheun nën qilimat e butë të pallatit./Përgatiti: Pamfleti
Lini një Përgjigje