
Pakistani ka shprehur shqetësim të thellë për tensionet në rritje në Lindjen e Mesme, pas natës së dytë të sulmeve amerikane dhe kundërpërgjigjeve iraniane që kanë rritur pasigurinë në rajon.
Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Tahir Andrabi, u bëri thirrje palëve të përfshira në konflikt që të respektojnë marrëveshjet ekzistuese dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm.
“Të gjitha palët duhet t’i përmbahen mirëkuptimit të arritur për armëpushimin dhe t’i japin fund armiqësive për të zgjeruar hapësirën për dialog dhe diplomaci”, deklaroi Andrabi.
Sipas tij, Pakistani po vijon angazhimin diplomatik për të mbështetur përpjekjet për uljen e tensioneve dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon.
Në këtë kuadër, ministri i Brendshëm pakistanez, Mohsin Naqvi, zhvilloi gjatë kësaj jave takime me drejtuesit iranianë në Teheran, në një përpjekje për të konsoliduar armëpushimin e përkohshëm që ka hyrë në fuqi që prej muajit prill.
Ndërkohë, Islamabadi ka theksuar edhe rolin e tij në nismat diplomatike që lidhen me konfliktin Izrael-Liban. Sipas autoriteteve pakistaneze, rinovimi i armëpushimit mes dy vendeve është mbështetur edhe nga përpjekjet diplomatike të Pakistanit.
Andrabi bëri të ditur gjithashtu se këtë javë në Pakistan ka zhvilluar një vizitë shefi i ushtrisë libaneze, gjenerali Rodolphe Haykal, në kuadër të konsultimeve për sigurinë rajonale.
“Ne kemi ndërmarrë një angazhim konstruktiv diplomatik në mbështetje të uljes së tensioneve, armëpushimit dhe ndjekjes më të gjerë të stabilitetit në rajon”, theksoi zëdhënësi i diplomacisë pakistaneze.
Deklaratat vijnë në një moment kur shqetësimet për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme janë shtuar ndjeshëm, ndërsa aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë po kërkojnë zgjidhje diplomatike për të shmangur një përplasje më të gjerë.
Lini një Përgjigje