Italianët votojnë më 22 mars për një reformë të thellë të sistemit gjyqësor, që përkrahësit e shohin si modernizim të domosdoshëm, ndërsa opozita paralajmëron rrezik për pavarësinë e drejtësisë…
Më 22 mars italianët do të votojnë për një reformë të sistemit të drejtësisë. Rezultati është ende plotësisht i hapur. Por shumë gjëra janë në lojë, mbi të gjitha për Giorgia Melonin. Kryeministrja 49-vjeçare, kryetare e partisë konservatore të djathtë Vëllezërit e Italisë, që nga tetori 2022 drejton një koalicion me Lega-n, partinë nacionaliste të djathtë të ministrit të Transportit Matteo Salvini dhe Forza Italia të ministrit të Jashtëm, Antonio Tajani.
Në politikën e paqëndrueshme të Italisë, Meloni ka arritur një arritje të rrallë: menjëherë pas marrjes së pushtetit ajo është bërë kryeministrja me mandatin e dytë më të gjatë të pandërprerë që nga Lufta e Dytë Botërore. Vetëm Silvio Berlusconi ka qëndruar më gjatë pa ndërprerje në detyrë, por atij iu deshën dy përpjekje për ta arritur këtë.
Në skenën ndërkombëtare Meloni bën “figurë të bukur”. Në Bruksel dhe në Uashington, në Nju Delhi dhe në Addis Abeba, ajo vlerësohet si një partnere e besueshme. Në vendin e saj ajo është më e sigurt në pushtet se shumica e krerëve të qeverive në shtetet kryesore të BE-së. Së bashku me presidentin Sergio Mattarella, Meloni kryeson listën e politikanëve më të pëlqyer në Itali. Në vjeshtën e vitit 2027 ajo synon të kandidojë për një mandat të dytë.
Referendumi për reformën e drejtësisë është deri tani sfida më e madhe e saj në politikën e brendshme. Në këtë votim popullor qytetarët duhet të shprehen për “rregullat për organizimin e gjykatave dhe krijimin e gjykatës disiplinore”. Kështu do të shkruhet në fletën e votimit. Kjo tingëllon si një çështje teknike dhe e vogël politike.
Në të vërtetë bëhet fjalë për reformën më të rëndësishme, dhe të kundërshtuar me gjithë forcën nga partitë e majta të opozitës, që nga ardhja në pushtet e koalicionit të qendrës së djathtë tre vjet e gjysmë më parë. Reforma e drejtësisë u miratua në fund të tetorit nga të dy dhomat e parlamentit. Meqë reforma përfshin edhe ndryshimin e 5 neneve të Kushtetutës, ligji duhet të miratohet përfundimisht nga populli në referendum.
Vetëm 4 nga 10 italianë i besojnë drejtësisë
Nuk ka debat për faktin se sistemi i drejtësisë në Itali është jofunksional dhe mbi të gjitha shumë i ngadaltë. Në procedurat civile duhen deri në shtatë vjet për një vendim përfundimtar, ndërsa në proceset penale mesatarisht tetë vjet. Në gjykatat administrative duhen më shumë se pesë vjet për një vendim në instancën e fundit.
Aktualisht janë në shqyrtim rreth 4.5 milionë procese, ndër të cilat gati 1.5 milionë procese penale.
Shumë procese përfundojnë pa vendim për shkak të skadimit të afatit të parashkrimit. Ekonomia italiane humb çdo vit deri në 1% të rritjes ekonomike, sepse pasiguria juridike i tremb investitorët vendas dhe të huaj. Vetëm katër nga dhjetë italianë kanë besim në drejtësinë e vendit të tyre.
Kësaj i shtohet edhe pakënaqësia e shumë konservatorëve ndaj aktivizmit politik të ashtuquajturve “mantelë të kuq”, siç quhen shpesh gjyqtarët e majtë. Silvio Berlusconi e konsideronte veten viktimën më të njohur të një gjuetie politike shtrigash nga prokurorë dhe gjyqtarë të majtë.
Berlusconi, i cili vdiq në qershor 2023 në moshën 86-vjeçare, u përball me rreth tre dhjetëra procese. Një vendim penal përfundimtar pati vetëm në një rast, shumë kohë pasi ishte larguar nga politika, për një shkelje tatimore.

Në sytë e prokurorëve ai ishte një shkelës ligji që duhej të kishte kaluar shumë vite në burg. Në sytë e votuesve të tij ai ishte një vizionar politik që duhej të drejtonte vendin për shumë vite.
A ishin votuesit e Berlusconit të verbër dhe nuk panë pas politikanit një mashtrues? Apo ishin prokurorët të verbuar dhe në themeluesin e populizmit konservator panë vetëm një fajtor?
Pra, a ka diçka të vërtetë në akuzën për “lawfare”, domethënë përdorimin e pushtetit gjyqësor për qëllime politike? Apo Meloni po përpiqet të realizojë atë që mentori i saj Berlusconi nuk arriti: ta vendosë drejtësinë nën kontrollin e politikës?
A e korrigjon reforma e Melonit diçka që ka shkuar keq për dekada në demokracinë italiane? Apo, përkundrazi, ajo rrezikon të minojë ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit?
Shkurtim i proceseve me 40 për qind?
Thelbi i reformës së drejtësisë janë dy elemente.
Së pari, ndarja e karrierës së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Deri tani juristët italianë mund të kalonin gjatë karrierës nga prokuroria në gjykatë dhe anasjelltas. Në të ardhmen ata duhet të zgjedhin që në fillim të karrierës një nga këto dy drejtime.
Së dyti, ndarja e organit të përbashkët të vetëqeverisjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve në dy institucione të veçanta. Përbërja e tyre nuk do të vendoset më nga zgjedhjet e brendshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si deri tani. Në vend të kësaj parlamenti do të hartojë lista kandidatësh, nga të cilat anëtarët do të përzgjidhen me short.
Edhe anëtarët e gjykatës disiplinore, që është përgjegjëse për gjyqtarët dhe prokurorët, do të zgjidhen me short.
Si përfitim shtesë të reformës strukturore, qeveria premton shkurtimin e kohëzgjatjes së proceseve civile dhe penale me 40 për qind deri në vitin 2030.
Ministri i Drejtësisë Carlo Nordio, arkitekti i reformës dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i Melonit, e justifikoi procedurën e shortit duke thënë se vetëm kështu mund të thyhen “strukturat e ngjashme me mafian” që prej vitesh kanë ndikuar zgjedhjet në organet e vetëqeverisjes së drejtësisë.
Nordio kujtoi se vetë hetuesi i njohur antimafia Nino Di Matteo kishte krahasuar vite më parë rrjetet e ndikimit brenda këtyre organeve me mafian. Di Matteo, nga Palermo, jeton nën mbrojtje policore që nga viti 1993 për shkak të kërcënimeve nga Cosa Nostra. Ai ka kundërshtuar përdorimin politik të deklaratave të tij nga Nordio dhe ka njoftuar se në referendum do të votojë kundër.
Argumenti i mafias
Për kundërshtarët e reformës, pikërisht lufta kundër krimit të organizuar është një arsye kryesore për ta refuzuar atë. Ata dyshojnë se në të ardhmen politikanë të lidhur me mafian mund të sigurojnë vendosjen e prokurorëve të butë dhe gjyqtarëve të bindur në gjykatat kyçe.
Nicola Gratteri, një nga figurat kryesore të fushatës kundër reformës, ka luftuar për shumë vite kundër mafias kalabreze ’Ndrangheta si prokuror në Catanzaro dhe që nga viti 2023 është prokuror i përgjithshëm në Napoli. Edhe ai jeton nën mbrojtje policore.
Gratteri deklaron se në Kalabri për reformën do të votonin vetëm “mafiozët, të pandehurit dhe të akuzuarit, si edhe masonë të devijuar dhe drejtues të dyshimtë”.

Sipas tij, ata duhet të kenë frikë nga drejtësia në formën aktuale, por jo nga një sistem i reformuar sipas planeve të qeverisë. Ministri i Drejtësisë Nordio i ka quajtur këto deklarata “të çmendura” dhe ka siguruar se pavarësia e drejtësisë nuk do të kufizohet në asnjë mënyrë.
Përplasja për migracionin
Lufta e Melonit për reformën e drejtësisë ka edhe një dimension tjetër. Ajo akuzon disa gjyqtarë se po pengojnë politikën e saj të migracionit për arsye ideologjike.
Qendrat italiane të pritjes dhe deportimit në Shqipërinë veriore kanë qëndruar bosh për më shumë se një vit e gjysmë, sepse disa gjyqtarë italianë dhe europianë kanë vendosur që azilkërkuesit e transferuar atje të kthehen në Itali.
Së fundmi, një gjyqtar në Romë urdhëroi Ministrinë e Brendshme të paguajë 700 euro dëmshpërblim për një shtetas algjerian që qëndron ilegalisht prej vitesh në Itali dhe që pas 23 veprash penale duhej të ishte deportuar në vendin e tij, përmes kampit të deportimit në Shqipëri dhe jo drejtpërdrejt nga Italia.
Po ashtu, një gjykatë në Palermo vendosi që shteti italian t’i paguajë 76 mijë euro organizatës gjermane të ndihmës Sea-Watch. Arsyeja ishte ndalimi i anijes së saj të shpëtimit me rreth 40 migrantë në bord, e cila në verën e vitit 2019 kishte hyrë në portin e Lampedusës pavarësisht ndalimit nga Roma.
Meloni u shpreh “pa fjalë” për këto vendime, duke thënë se gjyqtarët po sabotojnë luftën kundër migracionit ilegal, po minojnë shtetin ligjor dhe po injorojnë vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhje demokratike.
Dy politikanët më të pëlqyer në anë të kundërta
Ky është thelbi i vërtetë i debatit për reformën e drejtësisë: marrëdhënia mes politikës dhe drejtësisë, mes ekzekutivit dhe legjislativit nga njëra anë dhe gjyqësorit nga ana tjetër.
Meloni dhe koalicioni i saj i qendrës së djathtë duan që gjykatat të mos bllokojnë më ligje që nuk u pëlqejnë për arsye politike. Partitë e majta të opozitës, përkundrazi, shohin në reformë një rrezik për pavarësinë e pushtetit të tretë dhe një hap drejt strukturave autoritare.
Protagonistët kryesorë të kësaj përballjeje janë dy politikanët më të pëlqyer në Itali.
Nga njëra anë është Giorgia Meloni, e cila lufton hapur për reformën, por nuk e lidh të ardhmen e saj politike me rezultatin e referendumit.
Nga ana tjetër është presidenti Sergio Mattarella, 84-vjeçari nga Sicilia me flokë të bardhë, i cili ka një karrierë të gjatë politike. Prej njëmbëdhjetë vitesh ai është president i Republikës së Italisë dhe gjatë mandatit të tij ka parë pesë kryeministra të marrin detyrën dhe katër prej tyre të largohen shpejt.

Detyra e presidentit është kryesisht përfaqësuese dhe Mattarella zakonisht qëndron politikisht neutral. Por në debatin për reformën e drejtësisë ai është përfshirë dukshëm.
Juristi ka zhvilluar një lloj fushate të heshtur në mbështetje të kampit kundër reformës, duke mbështetur gjyqtarët dhe prokurorët me gjeste simbolike. Kohët e fundit ai vizitoi për herë të parë gjatë mandatit të tij Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, organi i vetëqeverisjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilin presidenti e kryeson formalisht por zakonisht nuk merr pjesë në mbledhjet e tij.
Vizita e Mattarellës në këtë institucion të fuqishëm – që sipas reformës duhet të ndahet në dy organe – dhe vlerësimi i meritave të tij përbëjnë në praktikë një argument të presidentit që këshilli të mbetet në formën e tanishme.
Brenda dy javësh, vendimin përfundimtar do ta japin votuesit italianë. /Përshtatur nga FAZ/
Lini një Përgjigje