TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Korrik 2026, 11:43

Vrasja e Renis Dobrës, GJKKO zgjat me 3 muaj hetimet për vëllezërit Bushgjokaj dhe Petrit Çakrin

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Renis Dobrës, GJKKO zgjat me 3 muaj hetimet për
Vrasja e Renis Dobrës

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Gjykata e Posaçme ka vendosur të zgjasë me tre muaj afatin e hetimeve ndaj tre vëllezërve Aleksandër, Kristi dhe Fation Bushgjokaj, si dhe ndaj Petrit Çakrit, të dyshuar për vrasjen e të riut Renis Dobra.

SPAK ka kërkuar që hetimet të vijojnë deri në muajin tetor, duke argumentuar se nevojiten veprime shtesë hetimore, të lidhura me aktet e ekspertimit të telefonave celularë dhe kryerjen e mbivendosjeve të gjurmëve papilare.

Kërkesa e organit të akuzës u kundërshtua nga avokati Erjon Kullolli, mbrojtës i Fation Bushgjokajt. Sipas tij, Prokuroria e Posaçme ka pasur kohën dhe mundësinë objektive për të kryer veprimet procedurale që kërkon edhe tani, por nuk i ka realizuar.

Avokati argumentoi gjithashtu se, deri në këtë fazë të procedimit, SPAK ende nuk ka arritur të provojë elementët e veprës penale të “Rrëmbimit”, si dhe faktin që kjo vepër është kryer në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm në një grup të strukturuar kriminal.

Mbrojtja e Bushgjokajt shtoi se kërkesa e SPAK bie në kundërshtim me vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, pasi, sipas saj, prokuroria nuk ka argumentuar pse masa e sigurisë “arrest në burg” është masa më e përshtatshme në këtë rast.

Nga ana tjetër, avokati i caktuar kryesisht nga gjykata për Petrit Çakrin deklaroi se ia lë në vlerësim gjykatës vendimmarrjen mbi kërkesën e SPAK.

Katër të arrestuarit akuzohen për vrasjen e Renis Dobrës, ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2025.

Ndërkohë, gjatë një prej seancave të mëparshme në Gjykatën e Posaçme, tre vëllezërit Bushgjokaj u përfshinë në një konflikt fizik me të bashkëakuzuarin Petrit Çakri, pasi ky i fundit i implikoi ata në vrasjen e Renis Dobrës.

vrasja e renis dobrës

Lini një Përgjigje