
Publiku kërkon të vërtetën, gjykata mban të mbyllura dosjet e jurisë së madhe të Epstein...
Një gjykatë federale në Florida ka refuzuar të mërkurën të publikojë dokumente shtesë të jurisë së madhe nga hetimi penal ndaj Jeffrey Epstein, duke vendosur një pengesë të parë serioze në përpjekjet e Departamentit të Drejtësisë për të zbutur indinjatën publike mbi menaxhimin e çështjes së bujshme.
Gjykatësja Robin Rosenberg, në vendimin e saj, theksoi se duart i ishin “të lidhura”, pasi kërkesa e Departamentit të Drejtësisë për publikimin e dokumenteve ishte bërë vetëm për “interes publik” dhe jo si pjesë e një procesi gjyqësor aktiv, standard që zakonisht përdoret për raste të tilla.
Çështja Epstein ka rikthyer në qendër të vëmendjes publikun amerikan, me kritika të ashpra nga të dyja palët politike dhe me mbështetës të flaktë të Donald Trump që kërkojnë transparencë të plotë. Javën e kaluar, vetë presidenti Trump i bëri thirrje Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi, të ndërmarrë hapa ligjorë për publikimin e provave të fshehta.
Por dokumentet që Departamenti kërkon të publikojë përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të materialeve nga hetimi dhe gjykimi i Epstein-it. Shumica e dosjeve ndodhen tashmë në administrimin e autoriteteve federale dhe mund të mos jenë paraqitur fare për jurinë.
Në vendimin e saj, Rosenberg urdhëroi hapjen e një çështjeje të re gjyqësore për të trajtuar këtë debat publik mbi dokumentet, duke e cilësuar çështjen si me “interes të madh publik”.
Departamenti i Drejtësisë, në një memo të muajit korrik, theksoi se nuk ka prova që Epstein kishte një “listë të fuqishmëve” të përfshirë në rrjetin e tij të supozuar të trafikimit seksual dhe pedofilisë. Po ashtu, memoja theksonte se Epstein nuk ishte vrarë në qelinë e tij në Nju Jork, duke hedhur poshtë teoritë e shumta konspirative mbi vdekjen e tij.
Megjithatë, pyetjet rreth lidhjeve të Epstein me biznesmenë, politikanë e figura të njohura botërore vazhdojnë të nxisin spekulime, sidomos pasi një pjesë e madhe e dokumenteve mbeten të mbyllura.
Maxwell kundër publikimit
Në zhvillime të tjera, një tjetër gjykatës federal, Paul Engelmayer, ka refuzuar kërkesën e Ghislaine Maxwell, ish-bashkëpunëtore e ngushtë e Epstein-it, për të parë materialet e jurisë përpara publikimit të mundshëm të tyre. “Ligji është i qartë: të pandehurit nuk kanë të drejtë automatike të kenë qasje në materialet e jurisë së madhe,” theksoi gjykatësi Engelmayer.
Avokatët e Maxwell kanë kërkuar të shohin dëshmitë para se të deklarojnë qëndrimin e tyre zyrtar mbi publikimin, por gjykatësi tha se nuk ka asnjë nevojë të ngutshme për këtë. Ai la të hapur mundësinë që, nëse gjykata gjykon se ka interes të veçantë për mbrojtjen, fragmente të kufizuara mund të bëhen publike.
Departamenti i Drejtësisë ka afat deri javën e ardhshme për të paraqitur argumente shtesë ligjore, ndërsa viktimat dhe Maxwell kanë afat deri më 5 gusht për të dorëzuar qëndrimet e tyre zyrtare. Një burim pranë Maxwell tha për CNN se ajo do të kundërshtojë publikimin e transkripteve. /Marrë nga CNN
Lini një Përgjigje