Ushtria Izraelite ka nisur të futet në Gaza. “IDF” ka publikuar pamjet që tregojnë se një numër i madh tanqesh janë futur në territorin palestinez.
Qendra mediatike e Hamasit raportoi për përplasje të rënda me forcat izraelite, duke përfshirë tanke, në disa vende pranë gardhit kufitar.
Ushtria izraelite tha se kishte kryer bastisje dhe sulme me qëllimin e "përgatitjes së terrenit për fazat e ardhshme të operacionit".

Ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant, ka lëshuar një deklaratë duke thënë se operacioni i tij ushtarak në Gaza do të vazhdojë derisa të ketë një rend të ri në zonë.
Nga ana tjetër Izraeli ka dhënë një ultimatum për evakuimin e banorëve, pasi sipas tyre, ora e sulmit tokësor ka ardhur.

Zëdhënësi i IDF, Daniel Hagari tha: "Për sigurinë tuaj të menjëhershme, ne u bëjmë thirrje të gjithë banorëve të Gazës veriore dhe qytetit të Gazës që të zhvendosen përkohësisht në jug".
Ai shtoi: “Kthimi në veri të Gazës do të jetë i mundur pasi të përfundojnë armiqësitë intensive”.
Zëdhënësi tha se Hamasi po i vë në rrezik civilët duke i pozicionuar forcat e tij në shkolla, xhami dhe spitale.
"Operacioni i afërt i IDF është vendosur për të neutralizuar kërcënimin e Hamasit me saktësi dhe intensitet. Dritarja juaj për të vepruar po mbyllet, lëvizni në jug për sigurinë tuaj. Kjo nuk është thjesht një masë paraprake, kjo është një lutje urgjente për sigurinë e civilëve në Gaza", tha ai.
Ndërkohë Hamasi ka thënë se po sheh mundësinë për lirimin e 8 pengjeve pas një kërkese të bërë nga Moska.
Abu Marzouk, një zyrtar i Hamasit, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA se ministria e Jashtme kishte dorëzuar një listë me tetë emra, të cilët të gjithë kishin dy shtetësi.
“Ne jemi shumë të vëmendshëm ndaj kësaj liste dhe do ta trajtojmë me kujdes sepse e shikojmë Rusinë si mikun tonë më të ngushtë”, tha Marzouk.
Lini një Përgjigje