TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Korrik 2026, 19:55

43 ditë protesta, mijëra qytetarë ndezin sheshin para Kryeministrisë: Nuk ndalemi!

Shkruar nga Pamfleti
43 ditë protesta, mijëra qytetarë ndezin sheshin para
Foto nga protesta

Tubimi po zhvillohet për të 43-ën ditë radhazi, ndërsa organizatorët deklarojnë se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Protesta para godinës së Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të 43-të, me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve, të cilët u mblodhën edhe sot për të shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë dhe për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Qytetarët po vërshojnë para Kryeministrisë duke mbajtur flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë, ndërsa gjatë gjithë tubimit u dëgjuan thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe për ndryshim politik.

Protestuesit shprehen se pakënaqësia e tyre lidhet me çështje që, sipas tyre, prekin qeverisjen, ekonominë, korrupsionin dhe standardin e jetesës.

Një qytetar, i cili që mori pjesë në protestën e sotme në Sheshin “Skënderbej” ka treguar arsyet që e kanë shtyrë të dalë në tubim, duke vënë në qendër shqetësimin për të ardhmen e fëmijëve dhe gjendjen sociale në vend.

“Kam dalë në protestë për fëmijët e mi, se dua t’i rris në Shqipëri. Nuk dua të marrim rrugët e botës! Të gjithë shqiptarët e ndershëm duhet të mblidhen këtu, këtu i gjejmë shqiptarët e ndershëm dhe pa interes. Vetëm për të drejtat tona dhe të kombit tonë, ndaj kam dalë sot në protestë”, u shpreh qytetari.

Më tej, ai kritikoi situatën politike dhe sociale në vend, duke përmendur korrupsionin dhe krimin si disa nga problemet kryesore që, sipas tij, ndikojnë jetën e përditshme të qytetarëve.

“Përballem me pafund problematika. Arsyeja kryesore është korrupsioni që po na varros përditë, krimi që na rrethon përditë. Të gjitha partitë pa përjashtim na i kanë lënë gjërat rrëmujë”, deklaroi ai.

Protestuesit janë zotuar se tubimet do të vijojnë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Atmosfera para Kryeministrisë është 'pushtuar' nga brohoritje, këngë patriotike dhe thirrje të vazhdueshme drejtuar institucioneve. 

Protestat para Kryeministrisë po vijojnë prej 43 ditësh radhazi, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë tubimet edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre për ndryshim politik.

protestat

Lini një Përgjigje