
Qytetarët u mblodhën edhe mbrëmjen e sotme në Sheshin "Skënderbej", në ditën e 51-të të protestës kundër qeverisë, për të vijuar mobilizimin e tyre me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Protesta nisi me fjalime në shesh, ku pjesëmarrës të ndryshëm morën fjalën për të shprehur kundërshtimet ndaj qeverisë dhe për t'u bërë thirrje qytetarëve t'i bashkohen lëvizjes.
Më pas, protestuesit nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku edhe aty do të mbahen fjalime për gati rreth dy orë. Gjatë tubimit u përsëritën kërkesat për dorëheqjen e qeverisë dhe u kritikuan politikat e saj.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit do të vijojnë marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke brohoritur slogane kundër qeverisë, për t'u rikthyer më pas sërish para godinës së Kryeministrisë, ku po aty do të mbyllet protesta e ditës.
Me flamuj dhe pankarta në duar ata brohorasin: "Rama jep dorëheqjen", "Poshtë patronazhistët", "Parlament analfabet" dhe "Shqipëria kërkon revolucion", "Rama ik, Berisha ik", "Shërbëtorë të krimit", etj.
Një prej protestuesve renditi arsyet që e kanë shtyrë të dalë në protestë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve, veçanërisht të rinjve, t'i bashkohen mobilizimit.
"I jam bashkuar protestës për skandalet që ka bërë qeveria shqiptare. Ne shqiptarët jemi në dhunën e këtyre. I bëj thirrje studentëve, të gjithëve, për të rrëzuar këtë sistem. Ky qenka më diktator se Enver Hoxha. Kinostudio-Kombinat nuk gjen një çezmë të ftohesh me ujë... Në Itali pinë edhe qentë ujë. Këtu pi një cigare, ku ta hedhësh? Ta mbaj në xhep. Ne nuk jemi as sorra, as korba. Ne duam mirëqenie, jo dallavere. Një pensionist këtu merr 70 mijë lekë, atje 600-700-800 euro. Në autobus nuk ka kondicioner, nuk i ndezin. Temperaturat janë 40 gradë jashtë, ndërsa brenda autobusit shkojnë në 70 gradë", u shpreh ai.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke theksuar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.
Lini një Përgjigje