TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Korrik 2026, 08:50

A do ta ndryshojë Andy Burnham marrëdhënien e Britanisë me Bashkimin Evropian?

Shkruar nga Pamfleti
A do ta ndryshojë Andy Burnham marrëdhënien e Britanisë me
Andy Burnham

Prioritetet e kryeministrit të ri janë të përqendruara në politikën e brendshme, por afrimi me Bashkimin Evropian mund të shndërrohet shpejt në një zgjedhje të domosdoshme për rimëkëmbjen ekonomike dhe sigurinë e vendit.

Çfarë do të mendojnë udhëheqësit evropianë për Andy Burnham, kryeministrin e shtatë të Mbretërisë së Bashkuar me të cilin u duhet të bashkëpunojnë gjatë një dekade të karakterizuar nga paqëndrueshmëria politike në Londër, e shkaktuar pas referendumit vendimtar të vitit 2016 për largimin nga Bashkimi Evropian?

I njohur si "mbreti i veriut", Burnham është ende një figurë pak e njohur në Evropën kontinentale. Ai i ka dhënë përparësi një axhende të brendshme politike, që synon decentralizimin e pushtetit drejt rajoneve dhe qyteteve, si edhe zgjerimin e rolit të shtetit në sektorët strategjikë të ekonomisë, më shumë sesa politikës së jashtme.

Në fazën e parë të mandatit të tij, Burnham mund t'i kushtojë më pak kohë diplomacisë sesa paraardhësi i tij, Keir Starmer, i cili shpesh kritikohej me nofkën "Keir që nuk është kurrë këtu", për shkak të udhëtimeve të shumta jashtë vendit në mbështetje të Ukrainës, për forcimin e bashkëpunimit evropian dhe të NATO-s në fushën e mbrojtjes, si edhe për përpjekjet për të frenuar, sipas kritikëve të Trumpit, prirjet destabilizuese të presidentit amerikan në marrëdhëniet transatlantike.

Starmer kishte filluar të rindërtonte një pjesë të besimit mes Brukselit dhe Londrës pas një periudhe të gjatë mosbesimi dhe zhgënjimi reciprok, të shkaktuar nga dështimi i Mbretërisë së Bashkuar për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e tërheqjes nga BE-ja, e negociuar me nxitim gjatë qeverisjes së Boris Johnsonit.

Megjithatë, ai tregoi kujdes në përpjekjet për të rivendosur marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, për të mos zemëruar votuesit e Partisë Laburiste që kishin mbështetur Brexit-in. Ndërkohë, Ministria e Financave vazhdonte të ishte e rezervuar ndaj çdo angazhimi financiar për pjesëmarrje më të gjerë në projektet evropiane.

Starmer u vlerësua për bashkëudhëheqjen, së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron, të ashtuquajturit "koalicioni i të gatshmëve", që punonte për garancitë e sigurisë për Ukrainën, si edhe të grupit të vendeve evropiane që po përgatiteshin të garantonin lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit sapo të përfundonin përplasjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Ka shumë gjasa që Burnham ta vazhdojë këtë rol, i cili ka ndihmuar në rikthimin e pozitës së Mbretërisë së Bashkuar si një aktor i rëndësishëm në sigurinë evropiane, edhe pse tashmë jashtë strukturave të Bashkimit Evropian, në vend që të zgjedhë izolimin nacionalist ose afrimin me lëvizjen "Make America Great Again" (MAGA), siç do të bënte, sipas autorit, Partia Reform UK e Nigel Farage.

Ashtu si shumë politikanë të përqendruar te çështjet e brendshme, Burnham pritet të kuptojë shpejt se stagnimi ekonomik i Mbretërisë së Bashkuar, rënia relative e standardit të jetesës dhe pakënaqësitë sociale lidhen, të paktën pjesërisht, me pasojat negative që Brexit ka pasur mbi tregtinë dhe investimet.

Edhe pa marrë parasysh argumentet e forta të sigurisë dhe gjeopolitikës për një afrim me Bashkimin Evropian, bashkëpunimi më i ngushtë me tregun kryesor të eksporteve britanike do të ishte një zgjedhje e natyrshme për të nxitur rritje më të shëndetshme ekonomike.

Si një figurë e re në Downing Street, Burnham ka mundësinë të rishqyrtojë "vijat e kuqe" të Partisë Laburiste në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian: mosrikthimin në tregun unik, mosanëtarësimin në bashkimin doganor dhe mosrikthimin e lëvizjes së lirë të njerëzve.

Ai ka gjithashtu një avantazh që Starmerit, sipas autorit, i mungonte: karizmën për t'ia shpjeguar dhe shitur këtë qasje opinionit publik.

Burnham do të gjejë qeveritë evropiane të gatshme për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si edhe gjithnjë e më të hapura për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në strategjinë evropiane "Made in Europe", që synon rritjen e sovranitetit evropian mbi teknologjitë strategjike dhe zinxhirët e furnizimit.

Megjithatë, qeveritë evropiane mbeten të kujdesshme ndaj përpjekjeve britanike për të përfituar vetëm avantazhet e tregut evropian pa marrë përsipër edhe detyrimet që ai sjell, siç janë kontributet financiare për aksesin në treg dhe pranimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, siç bëjnë Norvegjia dhe Zvicra.

Autori shprehet se pajtohet me Joël Reland, studiues në institutin "UK in a Changing Europe", i cili javën e kaluar vuri në dukje se Burnham mund të tingëllojë më pak proevropian sesa Starmer, "por po formulon një axhendë ekonomike dhe sigurie që mund ta afrojë Londrën më shumë me Brukselin".

Reland vëren një ngjashmëri "të habitshme" mes ambicies së Burnham për zhvillimin e "kapaciteteve sovrane" në sektorë industrialë që variojnë nga ndërtimi i anijeve deri te inteligjenca artificiale dhe planeve të Bashkimit Evropian për rritjen e "autonomisë strategjike", që synon uljen e varësisë nga furnizuesit e huaj në sektorët kritikë.

Për më tepër, Burnham përballet me sfida politike dhe sociale të ngjashme me ato të shumë udhëheqësve evropianë.

Shumë vende të Evropës po përjetojnë rritje të populizmit nacionalist, reagime kundër emigracionit dhe zemërim ndaj establishmentit politik për shkak të kostos së lartë të jetesës dhe cilësisë së dobët të shërbimeve publike, faktorë që kontribuuan edhe në votën për Brexit.

Ndërsa figura populiste si Marine Le Pen në Francë dhe Alice Weidel në Gjermani afrohen gjithnjë e më shumë me pushtetin të mbështetura, sipas autorit, nga administrata Trump, Elon Musk dhe presidenti rus Vladimir Putin kryeministri i ri laburist ka interes të bashkëpunojë më ngushtë me forcat liberale dhe proevropiane të kontinentit.

Autori argumenton se arsyeja gjeopolitike për këtë bashkëpunim është bindëse: Rusia, nën drejtimin e Vladimir Putinit, po zhvillon një luftë hibride kundër Evropës; Donald Trump po përpiqet të zvogëlojë angazhimin amerikan në sigurinë evropiane dhe të minojë vlerat e demokracisë liberale, shtetit të së drejtës dhe tolerancës; ndërsa Xi Jinping po forcon pozicionin e Kinës në eksportet globale dhe kontrollin mbi lëndët e para kritike.

Ndërtimi i marrëdhënieve më të ngushta me Evropën, duke nisur nga siguria dhe mbrojtja, ka kuptim edhe në aspektin e politikës së brendshme britanike.

Burnham duhet të kuptojë se Partia Laburiste nuk mund të fitojë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme duke mbetur një forcë politike e ndërmjetme, e cila ende ka frikë të mos humbasë votuesit pro-Brexit.

Laburistët kanë humbur një pjesë të votuesve proevropianë në favor të Liberal Demokratëve dhe Partisë së Gjelbër, ndërsa një pjesë të elektoratit punëtor që mbështeti Brexit-in e kanë humbur në favor të Reform UK.

Sipas autorit, Burnham mund të fillojë ta ndryshojë këtë prirje nëse e paraqet Partinë Laburiste si forcën pragmatike proevropiane që është në gjendje të sigurojë përfitimet ekonomike dhe politike të një marrëdhënieje më të ngushtë me Bashkimin Evropian, pa mbetur peng i tabuve politike të krijuara një dekadë më parë.

Euroskeptikët më të vendosur, sipas autorit, nuk do ta votonin gjithsesi Partinë Laburiste.

Ka disa shenja që Burnham e kupton këtë realitet, edhe pse është e kuptueshme që kjo nuk përbën prioritetin e tij kryesor.

Ai duhet të gjejë një mënyrë për ta lidhur ringjalljen e ekonomisë britanike me bashkëpunimin më të ngushtë me Evropën.

Një hap i parë mund të jetë bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes, duke iu bashkuar një instrumenti pasues të programit të përbashkët të prokurimeve të Bashkimit Evropian, SAFE.

Një mundësi tjetër do të ishte pranimi i një programi ambicioz për shkëmbimin e të rinjve, pa kuota dhe pa tarifa të larta universitare.

Një skemë e tillë do t'u krijonte të rinjve britanikë mundësi të ndërsjella për të studiuar dhe punuar në Evropë, mundësi që Brexit-i i ka bërë shumë më të vështira.

Dhënia e vizave të përkohshme për studentët dhe praktikantët evropianë mund të sillte një rritje të përkohshme të shifrave të emigracionit, por, sipas autorit, do të ishte në dobi të ekonomisë britanike, si edhe të zhvillimit shkencor dhe teknologjik të vendit.

Burnham mund të mendojë se ndryshimi i "vijave të kuqe" të Partisë Laburiste kërkon një mandat të ri demokratik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Megjithatë, sipas autorit, ai duhet të tregojë guxim dhe të nisë që tani të shpjegojë pse Mbretëria e Bashkuar do të ishte në një pozitë më të favorshme nëse do të ishte pjesë e tregut unik evropian, duke e përgatitur kështu terrenin për manifestin e ardhshëm zgjedhor të Partisë Laburiste./Përshtati "Pamfleti", nga "The Guardian"

andy burnham marrëdhënien e britanisë bashkimin evropian

Lini një Përgjigje