TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Korrik 2026, 21:16

"S'na shantazhoni dot, nuk e negociojmë më dinjitetin", mesazhi i fortë nga protesta

Shkruar nga Pamfleti

"S'na shantazhoni dot, nuk e negociojmë më dinjitetin",

Një prej fjalimeve që tërhoqi më shumë vëmendje gjatë protestës së 50-të qytetare ishte ai i një protestueseje, e cila u shpreh se pjesëmarrësit nuk kanë ndërmend të tërhiqen dhe se do të vazhdojnë qëndresën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Në fjalën e saj, ajo kundërshtoi etiketimet që, sipas saj, u janë bërë protestuesve gjatë këtyre javëve, duke theksuar se në shesh ndodhen qytetarë që protestojnë për Shqipërinë.

“Na thanë rusë, serbë, grekë e të shitur, por në këto 50 ditë nuk kanë kuptuar se këtu ka vetëm shqiptarë të ndershëm dhe të revoltuar. U munduan të na delegjitimojnë, por nuk ia dolën”, u shpreh protestuesja.

Aktivistja renditi disa nga arsyet pse protesta nuk do të ndalet, duke deklaruar se largimi nga sheshi do të vijë vetëm kur qytetarët të shohin përmirësime konkrete në fusha të ndryshme.

“Na pyesin se kur do të ikim nga sheshi. Do të ikim kur në spitale të ketë ilaçe dhe qytetarët të mos detyrohen t’i blejnë vetë. Kur në shkolla fëmijët të jenë të sigurt dhe mësuesit të mos përdoren për interesa politike. Kur baballarët tanë, punëtorë ndërtimi, të mos humbin jetën në vendin e punës pa mbajtur askush përgjegjësi. Kur blegtorët të mos detyrohen të hedhin produktet e tyre”, tha ajo.

Sidorela Vatnikaj u ndal edhe te emigrimi i të rinjve, duke kërkuar që ata të kenë mundësi të ndërtojnë jetën në vendin e tyre.

“Do të ikim kur të rinjtë të mbarojnë shkollën me besimin se do të punojnë në Shqipëri dhe jo të mendojnë largimin si zgjidhjen e vetme”, tha protestuesja.

Në fund të fjalës së saj, aktivistja theksoi se protesta nuk organizohet për interesa personale, por për dinjitet dhe për një të ardhme ndryshe.

“Nuk jemi këtu për interesa vetjake, për pushtet apo për ndjekës në rrjetet sociale. Jemi këtu për të thënë se nuk e negociojmë më dinjitetin tonë dhe ëndrrën për një Shqipëri të re, të lirë dhe demokratike. Nuk na shantazhoni dot më. Jemi këtu për t’ju thënë: Nuk ikim pa ikur ju”, përfundoi ajo.

Lini një Përgjigje