
Izraeli ka paralajmëruar se sulmet ndaj Iranit do të shtohen. Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se forcat izraelite po “godasin zemrën e Teheranit me një intensitet në rritje”.
Deklarata u bë nga tarraca e selisë së përgjithshme ushtarake në Kirya, Tel Aviv, pas një takimi me ministrin e Mbrojtjes Israel Katz, kreun e Mossad-it David Barnea dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Eyal Zamir.
Sipas Netanyahut, sulmet ndaj objektivave në Iran jo vetëm që do të vazhdojnë, por “do të intensifikohen më tej në ditët në vijim”, duke sinjalizuar një fazë të re të operacioneve ushtarake.
Ai e cilësoi fushatën si një operacion “si kurrë më parë”, duke theksuar se Izraeli vepron edhe “me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”. Në të njëjtën kohë, kryeministri izraelit pranoi se situata ka pasoja edhe për vendin e tij. “Megjithatë, këto janë ditë të dhimbshme,” u shpreh Netantyahu, duke iu referuar sulmeve raketore iraniane që goditën Tel Avivin dhe Beit Shemesh.
Netanyahu shtoi se “zemra ime është me familjet” e viktimave dhe u uroi të plagosurve shërim të shpejtë.
Kryeministri izraelit theksoi se qëllimi i operacioneve është goditja e asaj që e quajti “regjim terrori”.
“Bashkimi i forcave na lejon të bëjmë atë që dua të bëj prej 40 vjetësh: të godas regjimin e terrorit me forcë. Kështu kam premtuar dhe kështu do të bëhet”, deklaroi Netanyahu.
Lini një Përgjigje