Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se vendi do të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues.
Sipas saj, Parlamenti u shpërnda pasi deputetët nuk arritën deri në mesnatën e mbrëmshme të përmbushin detyrimin për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.
Osmani deklaroi se dështimi nuk ishte i rastësishëm, por rezultat i një veprimi të kalkuluar. Ajo theksoi se Kushtetuta përcakton që presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Presidentja shtoi se deputetët kishin në dispozicion 23 ditë për të përmbushur këtë detyrim kushtetues, por sipas saj ata zgjodhën të mos e bëjnë një gjë të tillë.
Në këtë situatë, ajo bëri të ditur se ka vendosur shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Sipas Osmanit, qytetarët nuk kanë kërkuar zgjedhje, ndërsa përgjegjësinë për këtë situatë ia atribuoi dështimit të Kuvendit dhe, siç u shpreh ajo, “njerëzve të papërgjegjshëm” që e sollën vendin në këtë pikë.
“Mbrëmë përpjekjet dështuan. Ky nuk ishte rastësi, as i pamenduar, përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar për fat të keq. Neni 86 presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 dit përpara përfundimit të mandatit. Mandati im përfundon më 4 prill. Kjo d.m.th. që 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues, ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Nuk kemi të bëjmë me një debat politik por me një akt të qartë kushtetues. Deputet e kuvendit kanë pasur në dispozicion 23 ditë për të kryer këtë detyrë. Ata vendosën që mos ta bëjnë dhe ky është realiteti që po përballemi sot. Kam vendosur të shpërndaj kuvendin dhe të shpall zgjedhjet e reja. Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtë e ka krijuar dështimi i kuvendit. Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm”, tha Vjosa Osmani.
Nuk e kupton Znj. Osmani? Mazhoranca dhe opozitarizmi nuk e dëshiron t'ju jap një mandat të dytë. Analizoheni se pse.