TAGS-AT E JAVËS

Lifestyle23 Maj 2026, 19:46

Çifti miliarder indian përplaset me fqinjët në Londër: Do t’i kthejmë apartamentet në banesa sociale

Shkruar nga Pamfleti
Çifti miliarder indian përplaset me fqinjët në
Përplasje luksi në Notting Hill

Një debat i ashpër urbanistik në një nga zonat më të shtrenjta të Londrës është kthyer në konflikt të hapur mes një çifti miliarderësh indianë dhe fqinjëve të tyre në Notting Hill.

Sipas Daily Mail, biznesmeni indian Anand Ahuja dhe bashkëshortja e tij, ylli i Bollywood-it Sonam Kapoor, akuzohen nga banorët e një kompleksi rezidencial fqinj se po përdorin ndikimin ekonomik për të ushtruar presion ndaj tyre gjatë një mosmarrëveshjeje që zgjat prej tre vitesh.

Gjithçka nisi në vitin 2023, kur çifti bleu për 21 milionë paund një vilë historike 200-vjeçare në perëndim të Londrës. Më pas ata paraqitën plane për një rindërtim të plotë të pronës, duke propozuar shembjen e të gjithë interierit dhe ruajtjen vetëm të katër mureve të jashtme. Projekti përfshin gjithashtu një pishinë nëntokësore dhe një fushë basketbolli poshtë vilës.

Punimet dhe debatet urbanistike shkaktuan shqetësime te banorët e godinës ngjitur “Hillcrest”, të cilët kundërshtuan projektin për shkak të zhurmës dhe ndikimit në zonë. Pas një beteje të gjatë me ankesa dhe apelime, autoritetet britanike miratuan planet e çiftit.

Megjithatë, sipas banorëve, konflikti nuk përfundoi aty. Ata pretendojnë se kompani të lidhura me çiftin kanë blerë pesë apartamente në ndërtesën e tyre, me vlerë totale rreth 4 milionë paund, me synimin që ato të përdoren për stafin shërbyes të vilës luksoze.

Banorët druhen se blerja e apartamenteve do t’i japë çiftit ndikim në administrimin e godinës dhe mundësi për të kontrolluar vendimmarrjet e brendshme.

Çifti miliarder indian përplaset me fqinjët në

Po ashtu, e njëjta kompani thuhet se ka blerë edhe garazhin e ndërtesës, i cili aktualisht përdoret si depo, por që sipas banorëve mund të shërbejë për koleksionin e makinave luksoze të çiftit.

Tensionet u shtuan edhe më shumë pasi, sipas Daily Mail, përfaqësues të kompanisë paralajmëruan gjatë një takimi privat se nëse banorët do të vazhdonin kundërshtimet publike, apartamentet mund të ktheheshin në “banesa sociale”.

Në një shkëmbim emails mes banorëve dhe kompanisë Shahi Exports, përmendej gjithashtu mundësia që publikimi i ankesave në media të sillte këtë skenar.

Disa prej banorëve pretendojnë se qëllimi është të ushtrohet presion psikologjik ndaj tyre. Njëri prej tyre deklaroi se çifti dëshiron ta kthejë ndërtesën “në një tjetër kënd lojërash privat”.

Të tjerë thanë se në të kaluarën janë dërguar edhe letra ligjore ndaj banorëve që kanë kundërshtuar projektin dhe se shumë prej tyre tashmë kanë frikë të flasin publikisht.

Sipas raportimeve, çifti ka shpenzuar deri tani rreth 4.7 milionë paund vetëm për punimet në vilë.

Anand Ahuja drejton biznesin familjar miliardësh “Shahi Exports”, një nga kompanitë më të mëdha indiane të prodhimit të veshjeve, ndërsa Sonam Kapoor është një nga figurat më të njohura të Bollywood-it dhe vajza e aktorit të famshëm Anil Kapoor.

përplasje luksi në notting hill

Lini një Përgjigje