Gazetari Drini Zeqo ka ndarë një histori të pazakontë gjatë një interviste në emisionin “Live From Tirana”, ku tregoi një rast që e ka surprizuar.
Teksa tregoi se emrin ia kishte vendosur gjyshi nga babai, ai zbuloi se në familjen e tij të gjithë mbajnë emra shqiptarë.
“Sa qejf që më pyet për këtë gjë, sepse më pyesin për emrin por nuk më pyet askush se kush ma ka vendosur. Ma ka vendosur gjyshi nga babai. Nuk ka lidhje me prejardhjen tonë, sepse ne jemi me origjinë nga Korça. Atij thjesht i pëlqente si emër. Të gjithë në familje kemi emra shqiptarë, motra quhet Bora, babai Ilir dhe nëna Irena”, u shpreh ai.
Më tej, Drini tregoi se emri ka ndikuar edhe në mënyrën si e percepton veten.
“Unë mendoj që emri na identifikon. Me kalimin e viteve, ndërsa formohet personaliteti ynë, emra të caktuar ndikojnë në këtë proces. Për shembull, njerëzit që quhen Guxim janë guximtarë, ndërsa emrat e maleve apo lumenjve bartin një forcë të veçantë. Kur shkoj te lumi Drin, është një ndjesi shumë e bukur”, tha gazetari.
Megjithatë, momenti më interesant i intervistës ishte rrëfimi për një ngatërresë të pazakontë me një prokuror që mban të njëjtin emër dhe mbiemër.
“Ka një prokuror që quhet Drini Zeqo. Kur ai po kalonte procesin e vetingut, një ditë dosja e tij voluminoze erdhi në redaksinë e Klanit, ku punoja unë. Të gjithë filluan të më uronin dhe më pyesnin çfarë po bëja me letrat për prokuror. U thashë që nuk ishte dosja ime dhe se posta kishte ngatërruar adresë. Më pas ia dërguan Drinit tjetër”, rrëfeu ai.
Gazetari shtoi se ngatërresa nuk mbaroi me kaq. Pasi emri i prokurorit u publikua pas përfundimit të procesit të vetingut, ai mori një lumë mesazhesh urimi nga njerëz që mendonin se bëhej fjalë për të.
“Perla ishte kur filluan të më afroheshin njerëz që donin të më takonin. Nuk e kam takuar ndonjëherë Drinin tjetër, por nëse e dëgjon këtë intervistë, do t'i thosha se do ta pinim me shumë kënaqësi një kafe bashkë”, përfundoi ai me humor.
Lini një Përgjigje