
Një studim në fushën e psikologjisë së sjelljes sugjeron se një frazë e vetme mund të shkaktojë reagim të fortë emocional te shumë burra: "Duhet të flasim".
Sipas studiuesve, kjo shprehje lidhet menjëherë me pritjen e një bisede të vështirë, konflikti ose një lajmi negativ në marrëdhënie. Pikërisht kjo pasiguri, dhe jo domosdoshmërisht biseda në vetvete, është ajo që nxit reagimin e stresit.
Studimi, i zhvilluar për tre javë me pjesëmarrjen e 142 burrave, evidentoi se shumë prej tyre shfaqën rritje të ritmit të zemrës, niveleve të kortizolit- hormoni i stresit- dhe ankthit emocional sapo u përballën me fraza që nënkuptonin probleme në marrëdhënie.
Pjesëmarrësit raportuan se mendja u shkonte menjëherë te skenarët më negativë, edhe pse nuk dinin ende se për çfarë do të zhvillohej biseda.
Sipas autorëve të studimit, reagimi lidhet me mënyrën se si truri përpunon pasigurinë. Në shumë raste, pritja e një situate të panjohur shkakton më shumë stres sesa përballja me një problem konkret, për të cilin dihen tashmë rrethanat dhe pasojat.
Studiuesit theksojnë se pasiguria emocionale është një nga faktorët që mund të ndikojë ndjeshëm në nivelin e stresit dhe mënyrën se si individët reagojnë në marrëdhëniet ndërpersonale.
Lini një Përgjigje