TAGS-AT E JAVËS

Sport13 Maj 2026, 15:43

Një dekadë nga pranimi i Kosovës në FIFA, Duka kujton Fadil Vokrrin: Udhëhoqi dardanët drejt arenës ndërkombëtare

Shkruar nga Pamfleti
Një dekadë nga pranimi i Kosovës në FIFA, Duka kujton Fadil
armand duka

13 maji mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e sportit kosovar. Pikërisht një dekadë më parë, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) u pranua me të drejta të plota në FIFA, duke shënuar një moment historik për futbollin dardan dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.

Me 86 për qind të votave pro, Kosova u bë anëtarja e 210-të e FIFA-s, duke fituar të drejtën për të marrë pjesë zyrtarisht në garat ndërkombëtare të organizuara nga institucioni më i lartë i futbollit botëror.

Dhjetë vjet pas këtij vendimi historik, ky përvjetor po kujtohet me krenari dhe emocion në Kosovë. Federata e Futbollit e Kosovës, së bashku me presidentin Agim Ademi, publikuan një komunikatë për shtyp, ku vlerësuan rëndësinë e këtij momenti për zhvillimin dhe afirmimin ndërkombëtar të futbollit kosovar.

Sipas FFK-së, anëtarësimi në FIFA hapi një kapitull të ri për sportin në vend, duke u dhënë mundësi klubeve, futbollistëve dhe përfaqësueses së Kosovës të garojnë në arenën ndërkombëtare dhe të ndërtojnë identitetin e tyre sportiv në botë.

Lidhur me këtë datë sublime që simbolizon dhe "kujtimin" në nder të presidentit të ndjerë, legjendës Fadil Vokrri, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka ka bërë një postim në profilin e tij teksa vlerësoi dhe punën e bërë të Agim Ademit, kreut aktual të federatës.

Postimi i Armand Dukës në Facebook:

"Sot shënohen 10 vite nga një nga momentet më historike për futbollin në Kosovë, ku anëtarësimi i FFK-së në FIFA dhe UEFA vulosi Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Me respekt kujtoj legjendën Fadil Vokrri, që udhëhoqi me pasion këtë mision historik për futbollin e Kosovës. Kontributi i tij mbetet i paharruar.

Urime mikut tim, Presidentit Agim Ademi, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjithë komunitetit sportiv në këtë përvjetor të veçantë."

armand du presidenti i fshf anëtarësimi i kosovës në fifa

Lini një Përgjigje