TAGS-AT E JAVËS

Sport21 Korrik 2026, 17:47

Pasimi i fundit dhe lotët e 'zotit të futbollit'

Shkruar nga Pamfleti
Pasimi i fundit dhe lotët e 'zotit të futbollit'
Lionel Messi

Lionel Messi mbylli të dielën kapitullin e tij në Kupën e Botës. Pak minuta pasi Spanja ngriti trofeun, kamerat fokusuan kapitenin e Argjentinës, i cili qëndroi përballë tifozëve argjentinas dhe nuk arriti t'i mbante lotët.

Në moshën 39-vjeçare, gjithçka lë të kuptohet se kjo ishte paraqitja e fundit e Messit në një Botëror. Argjentina nuk arriti të mbrojë titullin e fituar në Katar në vitin 2022, duke u mposhtur në finale nga Spanja.

Gjatë turneut, Messi ishte sërish figura kryesore e Argjentinës, por në finalen e madhe nuk gjeti mbështetjen e nevojshme nga pjesa më e madhe e skuadrës. Spanja dominoi ndeshjen dhe i dha fund ëndrrës së argjentinasve për një tjetër titull botëror.

Me këtë ndeshje, Messi i jep fund një rrugëtimi të jashtëzakonshëm në Kupat e Botës. Ai debutoi në vitin 2006, përjetoi zhgënjimet e eliminimit nga Gjermania në vitin 2010 dhe humbjes në finalen e vitit 2014, përpara se të realizonte ëndrrën e madhe në Katar në vitin 2022, kur udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të tretë botëror.

Rrugëtimi i tij nisi në Rosario, ku talenti i jashtëzakonshëm u dallua që në fëmijëri. I diagnostikuar me mungesë të hormonit të rritjes, Messi rrezikonte të mos zhvillohej normalisht, derisa Barcelona vendosi të financojë trajtimin e tij dhe ta afrojë në akademinë "La Masia". Ky vendim ndryshoi jo vetëm jetën e tij, por edhe historinë e klubit katalanas dhe të futbollit botëror.

Pas më shumë se dy dekadash në elitën e futbollit, tetë "Topa të Artë", tituj të shumtë me Barcelonën dhe triumfit me Argjentinën në Kupën e Botës, Messi largohet nga skena e Botërorit si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Lotët në fund të finales nuk ishin vetëm zhgënjimi për një trofe të humbur, por edhe mbyllja simbolike e një epoke që la gjurmë në historinë e futbollit.

messi

Lini një Përgjigje