Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo Nazário, ka komentuar paraqitjen e Kristiano Ronaldos në Kupën e Botës, duke vlerësuar se mosha dhe kufizimet fizike kanë filluar të ndikojnë te kapiteni i Portugalisë.
Portugalia nuk arriti të përmbushte pritshmëritë në Botërorin e zhvilluar në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Pas eliminimit të Kroacisë në fazën e 1/16-ave, në një ndeshje që u shoqërua me polemika, portugezët u ndalën në raundin pasues nga Spanja, duke u mposhtur 1-0.
Një nga arsyet e eliminimit të hershëm, sipas shumë analistëve, ishte edhe forma jo bindëse e Kristiano Ronaldos.
Për paraqitjet e Ronaldos, por edhe të Neymarit, foli ish-sulmuesi legjendar brazilian.
"Trupi të tregon vetë kur nuk mundesh më. Si Kristiano, ashtu edhe Nejmari kanë arritur në një pikë ku duhet të përballen me kufizimet fizike. Është shumë e vështirë të luftosh kundër trupit tënd. Kristiano ndoshta ende ka nivel për Arabinë Saudite, por Kupa e Botës është diçka krejt tjetër. Atje kërkesat janë shumë më të larta", tha Ronaldo Nazário.
Ai shtoi se dëshira për të vazhduar nuk mjafton kur trupi nuk përgjigjet më.
"Edhe pse e duam futbollin dhe duam ta luajmë përgjithmonë, trupi është ai që merr vendimin përfundimtar. Mendja dëshiron, por trupi nuk mund ta ndjekë më", u shpreh ish-fituesi i Kupës së Botës me Brazilin në vitet 1994 dhe 2002.
Ronaldo Nazário konsiderohet një nga sulmuesit më të mëdhenj në historinë e futbollit dhe ishte fitues i "Topit të Artë" në Botërorin e vitit 1998.
Lini një Përgjigje