Futbolli i Afrikës së Jugut është tronditur nga vdekja e papritur e mesfushorit të kombëtares, Jayden Adams, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet e ndarjes së tij nga jeta.
Lojtari 25-vjeçar i “Bafana Bafana” dhe i klubit prestigjioz Mamelodi Sundowns u gjet pa jetë në një zonë periferike të Cape Town, vetëm pak ditë pas përfundimit të aventurës së Afrikës së Jugut në Kupën e Botës.
Vdekja e tij ka ngritur shumë pikëpyetje, pasi deri më tani nuk ka një version përfundimtar mbi atë që ka ndodhur. Disa media lokale kanë hedhur dyshime për një vetëvrasje të mundshme, duke e lidhur këtë me gjendjen e rënduar emocionale të futbollistit pas humbjes së gjyshes së tij 72-vjeçare.
Sipas personave pranë tij, Adams kishte një lidhje shumë të fortë me gjyshen dhe pas ndarjes së saj nga jeta kishte kaluar një periudhë të vështirë. Partnerja e tij ka treguar se lojtari kishte pasur probleme me ushqimin dhe shenja të një gjendjeje depresive, duke thënë se gjatë Botërorit “nuk dukej më i njëjti”.
Edhe disa pamje nga dhomat e zhveshjes pas fitores historike ndaj Koresë së Jugut më 25 qershor kanë rikthyer vëmendjen te gjendja e tij emocionale. Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës festonte kualifikimin, Adams shfaqej i ulur i vetëm në stol, larg atmosferës së gëzimit.
Mesfushori kishte qenë titullar në tre ndeshjet e para të turneut, ndërsa në sfidën e fundit ndaj Kanadasë, ku Afrika e Jugut u eliminua, qëndroi në stol.
Megjithatë, një tjetër pistë e hetimit ka dalë në skenë. Sipas raportimeve nga mediat afrikano-jugore, mund të mos bëhet fjalë për vetëvrasje, por për një komplikacion shëndetësor pas një episodi të dyshuar helmimi ushqimor.
Sipas këtij versioni, Adams ishte paraqitur në spital me simptoma të helmimit dhe dyshohet se gjendja e tij mund të jetë nënvlerësuar ose trajtuar në mënyrë të gabuar. Disa raportime hedhin dyshime për një gabim të mundshëm gjatë trajtimit, por këto pretendime ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Policia ka kryer kontrolle në banesën e tij në Cape Town, ndërsa autoritetet po presin rezultatet e ekzaminimeve mjeko-ligjore që do të përcaktojnë shkakun real të vdekjes.
Ministri i Sportit i Afrikës së Jugut, McKenzie, shprehu dhimbjen për humbjen e futbollistit, duke e cilësuar atë një nga talentet më premtuese të vendit.
“Me një ndjenjë tronditjeje të thellë dhe zemër të rënduar mësova për vdekjen e tij. Futbolli i Afrikës së Jugut ka humbur një nga talentet e tij më të ndritur”, deklaroi ai.
Jayden Adams ishte një nga zbulimet e Afrikës së Jugut në Botëror, ku kombëtarja rikthehej në skenën më të madhe të futbollit pas 16 vitesh mungesë. Mesfushori ofensiv kishte nisur të tërhiqte vëmendjen e drejtuesve të federatës për të ardhmen e ekipit kombëtar.
Përveç karrierës sportive, Adams ishte baba i një vajze 5-vjeçare.
Tragjedia e fundit ishte një tjetër goditje e rëndë në jetën e tij. Në vitin 2023, ai humbi mikun e tij të ngushtë, Oshwin Andries, kapitenin e kombëtares U-20, i cili u vra pas një konflikti në një lokal.
Tashmë, përgjigjen përfundimtare mbi vdekjen e Jayden Adams pritet ta japin hetimet zyrtare, ndërsa futbolli afrikan mbetet në pritje të sqarimit të një prej rasteve më tronditëse të këtij viti.
Lini një Përgjigje