TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia29 Qershor 2026, 14:55

Si i kthen sekseri Ervin Krymbi, vilat luksoze në "magazina" dhe i legalizon katet pa leje, skemat që do fundosin Kadastrën e Durrësit

Shkruar nga Pamfleti
Si i kthen sekseri Ervin Krymbi, vilat luksoze në "magazina" dhe
Ervin Krymbi/

Një dosje e plotë me fakte konkrete po përgatitet për Kadastrën e Durrësit dhe "sekserin" e saj Ervin Krymbi. Faksimilet e vilave të regjistruara si magazina dhe të pallateve me kate të shtuara pa leje dëshmojnë skemën e mirëfilltë që ka shfrytëzuar boshllëqet ligjore dhe rindërtimin për të legalizuar pronat

Dy skema paralele, të konceptuara dhe të ekzekutuara nga i njëjti njeri, kanë sjellë në vëmendje Kadastrën e Durrësit. Ervin Sh. Krymbi, i njohur në qytet si "sekseri", është emri që qëndron pas legalizimit të vilave të luksit si magazina dhe pas kalimit të kateve pa leje në pronë të rregullt përmes mekanizmit të rindërtimit. Të dyja skemat kanë shfrytëzuar boshllëqe ligjore dhe një rrjet bashkëpunëtorësh brenda institucionit, duke kthyer detyrën publike në një biznes të mirëfilltë me tarifa fikse dhe pagesa cash.

Vilat e luksit që fshihen pas emrit "magazinë bujqësore"

Në zonat bregdetare të Durrësit, dhjetëra hektarë tokë bujqësore dhe ish-ndërmarrje bujqësore janë zënë nga vila tri e katërkatëshe, pallate e objekte luksi me pronarë emra ish-ministrash, ish-deputetësh dhe pushtetarësh. Ligjërisht, këto ndërtime mund të quhen vetëm ndërtime pa leje, por në duart e sekserit Ervin Krymbi ato marrin një jetë të re në letër. Pronarët i drejtohen atij për të regjistruar pronat si magazina apo objekte bujqësore, duke shmangur kështu taksat e larta dhe ndalesat urbanistike.

Mekanizmi financiar që e bën të mundur këtë skemë është i lidhur ngushtë me mënyrën e taksimit. Taksa vjetore për një vilë banimi është 0.05%, por nëse ajo regjistrohet si magazinë bujqësore, vlerësohet vetëm një e treta e çmimit të banesave të zonës. Kjo do të thotë se një vilë luksi që në treg kushton miliona euro, në dosjet e Kadastrës figuron si një depo modeste dhe taksa e saj vjetore është shumë herë më e ulët. Garazhet dhe bodrumet vlerësohen 70 për qind, parkimi i hapur 30 për qind dhe magazinat e përpunimit 50 për qind të çmimit të banesave, por "magazina bujqësore" është kategoria më e lirë e mundshme. Reforma e re tatimore, e rrit këtë diferencë, duke e bërë edhe më tërheqëse fshehjen e një vile pas një zëri më të lirë.

Por kursimi në taksa nuk mbaron këtu. Në momentin e ndërtimit, taksa e ndikimit në infrastrukturë për banesa është 4 deri 8 për qind e çmimit të shitjes për metër katror, ndërsa për objektet bujqësore ose individuale është vetëm 1 deri 3 për qind. Subjektet e certifikuara si agroturizëm përjashtohen plotësisht. Dhe nëse ndërtimi kalon përmes legalizimit, taksa është vetëm 0.5 për qind e vlerës së investimit. Pra, rruga më e lirë është certifikimi si agroturizëm ose kalimi përmes legalizimit.

Elementi i tretë i kësaj skeme ka të bëjë me vetë tokën. Ligji nr. 7501 e ndalon çdo lloj ndërtimi në tokat bujqësore pa vendim të Këshillit të Ministrave. Por një VKM e veçantë për procedurat e ndërtimit të objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore hap derën për struktura me destinacion bujqësor mbi tokë bujqësore. Ky është gremçi ligjor që abuzohet: merret leja ose deklarata për një magazinë, serrë apo stallë, dhe në terren ngrihet një vilë me pishinë. Dhjetëra hektarë tokë bujqësore në zonat bregdetare dhe ish-ndërmarrjet bujqësore të Durrësit janë zënë nga vila e pallate luksi, me pronarë emra të njohur të krimit dhe pushtetit.

Si i kthen sekseri Ervin Krymbi, vilat luksoze në "magazina" dhe
Faksimile e disa vilave luksi në bregdetin e Durrësit, e regjistruar në Kadastër si "magazinë bujqësore", duke shmangur taksat dhe ndalesat urbanistike. Në dosjet zyrtare, ajo figuron si depo, ndërsa në realitet është një ndërtim luksoz me pishinë dhe pamje nga deti

Katet pa leje që u bënë të ligjshme falë rindërtimit

Skema e dytë, po aq e sofistikuar, lidhet me ndërtimet e reja dhe me rindërtimin pas tërmetit të 2019-ës. Ervin Krymbi u premton pronarëve të hoteleve dhe ndërtesave të reja në Durrës se mund të shtojnë më shumë kate se sa lejohet nga leja urbanistike, duke u siguruar se pas ndërtimit ai do t'i legalizojë ato kate shtesë. Këtë ai e realizon duke shfrytëzuar programin e rindërtimit, i cili u shndërrua në një lloj amnistie ndërtimore.

Procedura normale e legalizimit të një kati pa leje ishte e shtrenjtë dhe e gjurmueshme. Pronari duhet të paguante kalimin e pronësisë për truallin e zënë, tarifën e ndikimit në infrastrukturë, tarifën e shërbimit dhe gjobën prej 10 për qind për dyqanet dhe 4 për qind për apartamentet. Vetëm pas shlyerjes së të gjitha detyrimeve bëhej regjistrimi. Por rindërtimi e shkurtoi këtë rrugë.

Një ndërtesë me kate ose shtesa pa leje, e ngritur para nëntorit 2019, nëse klasifikohej me dëm të rëndë DS4 ose DS5 nga akt-ekspertiza e thelluar, kalonte për rindërtim të plotë me para publike. Ndërtesa e re ngrihej me leje, kolaudohej dhe regjistrohej ligjërisht, dhe pronari dilte me certifikatë pronësie për një sipërfaqe që më parë ishte e paligjshme. Katet pa leje nuk legalizoheshin duke paguar gjoba dhe truall, por normalizoheshin falas, me kurriz të shtetit, dhe me firmën e zyrtarëve që klasifikonin dëmin, miratonin listat dhe regjistronin pronën e re.

Procesi në Durrës ishte masiv dhe i përqendruar te pallatet. Rreth 120 pallate në Durrës u klasifikuan DS4 dhe objektet me kosto riparimi mbi 70 për qind të vlerës u shembën për t'u rindërtuar nga e para në të njëjtin truall. Çdo pallat DS4 ose DS5 me kate të shtuara pa leje që kalonte në rindërtim, dilte i pastër në regjistër. Kjo shpjegon pse në Durrës, në hije të rindërtimit, u legalizuan masa të tëra metrash katrorë që më parë ishin jashtë ligjit.

Si i kthen sekseri Ervin Krymbi, vilat luksoze në "magazina" dhe
Faksimile e një kompleksi pallatesh në Durrës, ku katet e shtuara pa leje janë legalizuar përmes skemës së rindërtimit

Tarifat dhe rrjeti i bashkëpunëtorëve

Ervin Krymbi nuk vepron pa pagesë. Një listë çmimesh e pa shkruar askund, por e njohur nga shumëkush, qarkullon në Durrës. Për legalizimin e një kati shtesë, tarifat lëvizin nga 10 deri në 15 mijë euro, duke u rritur sa më afër bregdetit. Azhornimet në hartë kushtojnë nga 3 deri në 5 mijë euro. Pagesat bëhen në cash, ose në disa raste me apartamente apo njësi tregtare që regjistrohen në emra të familjarëve. Paratë nuk kalojnë kurrë nëpër llogari bankare.

Për të realizuar këto skema, Krymbi nuk vepron i vetëm. Sipas informacioneve, ai ka bashkëpunuar ngushtë me disa punonjës të Kadastrës së Durrësit, emrat e të cilëve përmenden në denoncime të shumta. Këta persona dyshohet se kanë qenë pjesë e zinxhirit që përpunon dokumentacionin dhe lejon kalimin e skemave. Si dhe drejtori i madh që bashkëpunon ngusht me Ervin Krymbin.

Emri i Ervin Krymbit është lidhur konkretisht me zonat kadastrale 8513 dhe 8512. Në këto zona janë kryer legalizime të shumta ndërtimesh pa leje. Këto janë dy raste që kanë dalë në dritë, por dyshohet se veprimtaria e tij shtrihet edhe më tej. 

Sipas informacioneve që disponon Pamfleti, SPAK ka rënë në gjurmët e të gjithë baterdisë që është bërë me kadastrat e vendit dhe duket se do t'ia fillojë nga Durrësi.. /Pamfleti

3 Komente

  1. s
    sfilitje.com

    Ky shkrim eshte vecse nje klithme luani ne shkretetire. Pa nje lufte civile, e kombinuar ajo me serbin dhe grekun nuk mund te krijohen kushtet objektive dhe subjektive qe cojne ne permbysjen rrenjesore te situates teresisht te koruptuar te shtetit shqiptar dhe te shoqerise tone, plus kosovaret, tetovaret... Pushtuesit jane te vetmet forca qe mund te ndermarin reforma me themel, jo se i ha malli per shqiptaret por thjeshte per te legjitmuar pushtimin e tyre si nje clirim total te popullit shqiptar nga korupsioni, vellavrasjet, dhe nga pasardhesit tashme kapitaliste me rrenje tek Diktatura e Proletariatit(puntoreve dhe fshatareve te Enverit). E pyeten njerin se c'mendim kishte per tradhetine? E turpshme por e shendetshme - u gjegj ai. Keshtu eshte edhe puna e pushtimit serb ne veri dhe grek ne jug. Ne po ua servirim atyre Trojet shqiptare me duart tona, dhe plot pathos nacionalist bulevardesk. Rrofshin, se lavdia e humbur u reabilitua, tradhetaret qe asfaltojne rrugen e gremisjes se Shqiperise ne humnere...

    1. e
      ermand rama

      po shume e vertete shefi i legalizimeve ne kadaster durres po ben kerdine turp i madh

    2. F
      Fushe Drac

      Pamfleti te lutemi postojen denoncimin tim per palacon Ervin Krymbi e keni te detajua me te gjitha pazaret qe ka ber ne kurriz te familjes tim

      Lini një Përgjigje