Miratohet akti normativ për uljen e akcizës me 20 % lidhur me karburantet. Ministri i Financave Petrit Malaj, teksa njoftoi miratimin e aktit normativ, tha se ai synon të mbrojë qytetarët shqiptarë nga efektet financiare të prodhuara si rezultat i konfliktit në Lindjen e Mesme.
Por Malaj shtoi se përmes aktit synohet të mbrohet edhe buxheti i shtetit dhe ekonomia e vendit në një moment kritik si ky që po përballet Bota.
Akti normativ parashikon uljen e akcizës me 20%, nëse çmimi i shitjes me pakicë, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës, shkon mbi 220 lekë për litër për naftën dhe mbi 200 lekë për litër për benzinën.
Masat do të jenë në fuqi deri në stabilizimin e situatës ndërkombëtare, duke siguruar mbrojtjen e qytetarëve, buxhetit të shtetit dhe ekonomisë kombëtare në këtë periudhë kritike.
Pak ditë më parë, gjatë një konference për mediat, kreu i Financave, tha se mekanizmi për uljen e çmimit të naftës hyn në funksionim në momentin që bordi do caktojë që çmimi i tregtimit me pakicë do jetë 221 lekë për litrin e naftës dhe 201 lekë për benzinën.
“Në atë moment merret vendimi që çmimi i shitjes do jetë 221 lekë minus reduktimin e akcizës me 20%, pra do të jetë 213 lekë. Kjo do bëhet me baza ditore, kur çmimi kalon mbi 220 lekë, do kemi një reduktim të çmimit me pakicë me 8 lekë. Kur çmimi do jetë nën 220 lekë, do jetë çmimi që ka përcaktuar Bordi”, tha Malaj.
Lini një Përgjigje