Qytetarët u ulën këmbëkryq në mes të rrugës, duke vijuar protestën në mënyrë paqësore.
Tensionet para godinës së Kuvendit vijojnë, ndërsa qindra qytetarë kanë mbetur të grumbulluar duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë.
Përshkallëzimi i situatës u regjistrua menjëherë pas përfundimit të seancës plenare, në momentin kur deputetët nisën të largoheshin nga godina e Parlamentit.
Protestuesit bllokuan daljet kryesore të Kuvendit, duke përsëritur thirrjet: “Parlamenti i krimit”, “Arrestoni Ramën”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Rama jepe dorëheqjen”.
Në përpjekje për të liruar hyrje-daljet e Parlamentit, forcat e policisë ndërhynë për të larguar protestuesit. Në përgjigje, qytetarët u ulën këmbëkryq në mes të rrugës, duke vijuar protestën në mënyrë paqësore.
Përballë tyre, Policia e Shtetit dhe forcat e FNSH-së krijuan një kordon sigurie për të mbajtur nën kontroll situatën, ndërsa në gatishmëri ishte vendosur edhe autoboti i ujit.

Protesta para Kuvendit u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, që nisën përpara fillimit të seancës plenare dhe vijuan edhe pas përfundimit të saj.
Incidentet e para u regjistruan teksa deputetët mbërrinin në Parlament. Tetë protestues arritën të kalonin kordonin e sigurisë dhe, nga një lokal pranë Akademisë së Shkencave, hodhën vezë në drejtim të deputetëve të Partisë Socialiste. Policia ndërhyri duke shoqëruar disa persona, mes tyre edhe aktivistin Gent Progni. Gjatë protestës, me vezë dhe miell u godit edhe automjeti i kryetares së Kuvendit, ndërsa objekt i sulmeve u bënë edhe deputetët socialistë Ardit Bido, Ervin Demo dhe Blendi Klosi. Deputetët e opozitës u pritën me thirrje "opozitë e shitur".
Pas shoqërimeve, situata u përshkallëzua. Protestuesit hoqën gardhin metalik të vendosur nga policia, ndërsa efektivët krijuan një kordon sigurie. Përplasjet vijuan me hedhje vezësh, gurësh dhe sendeve të forta ndaj policisë. Një efektiv u godit në kokë me gur, ndërsa deri tani raportohet se tre policë dhe katër protestues kanë marrë ndihmë mjekësore në QSUT dhe në Spitalin e Traumës. Policia përdori sprej me piper për të shpërndarë turmën, ndërsa edhe autoboti i ujit i vendosur pranë Kuvendit u godit me vezë.
Pas përfundimit të seancës plenare, tensionet vijuan. Protestuesit qëlluan sërish me vezë automjetin e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, duke e detyruar mjetin të kthehej pas.
Ndërkohë, Taulant Balla, reagoi pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit, duke mbështetur ndërhyrjen e Policisë së Shtetit dhe duke paralajmëruar masa ndaj personave që ushtruan dhunë ndaj efektivëve.
Balla tha se protesta është një e drejtë demokratike, por theksoi se edhe Kuvendi ka të drejtën të ushtrojë funksionin e tij kushtetues.
“Për mua kjo është e disata herë, sikurse ata kanë të drejtë të protestojnë, ne kemi të drejtë të votojmë. Është një kontratë që nuk lëviz dhe nuk e luan as topi, kontrata e PS me shqiptarët. Unë jam mësuar me këtë. Nga Saliu te Luli, nga Luli te Saliu, kanë hyrë edhe elementë të tjerë. Ne nuk mund të zmbrapsemi se një grup mbeturinash sociale dhe politike mendojnë që Parlamenti duhet të shpërndahet”, u shpreh ai.
Sipas Ballës, ngjarjet e ditës lidhen me një skenar që, sipas tij, synon të dëmtojë vendin në një moment kur Kuvendi po shqyrton akte që lidhen me procesin e integrimit europian.
“Sot, edhe shqiptari më skeptik sa i përket pjesës që është një skenar tërësisht në dëm të Shqipërisë, ndërsa Kuvendi duhet të votojë ligje për anëtarësimin në BE. Ky skenar nuk është surprizë, është skenar i parë në vende të tjera. Kush ka dyshime që brenda atij grupi që dhunon dhe plagos tre punonjës, kush sulmon policinë ka sulmuar shtetin”, deklaroi Balla.
Ai shprehu mbështetje për Policinë e Shtetit dhe paralajmëroi se autorët e dhunës do të përballen me ligjin.
“Mbështes Policinë e Shtetit, t’i bëhet me dije dhe qartësisht: kushdo që ngre dorë ndaj Policisë së Shtetit, do përballet me forcën e Policisë së Shtetit”, tha Balla.
Ministri shtoi se gjatë 28 ditëve të para të protestave nuk ishin regjistruar akte dhune dhe se qeveria është e gatshme të dialogojë me qytetarët që protestojnë për problematika konkrete.
“Pse, më 28 ditë nuk pati asnjë akt dhune dhe pjesëmarrja e qytetarëve të bukur ishte më e madhe? Sot, PS, qeverisja e saj, pas pak ditësh do ulet me protestuesit e varfër, ata që u ngritën për natyrën, për pjesën e arrogancës së një zyrtari që ka zënë një karrige dhe e përdor në dëm të qytetarëve”, u shpreh ai.
Balla komentoi edhe incidentin ku u përfshi aktivisti Gent Progni me deputetët Ulsi Manja dhe Admir Kadeli, duke mohuar se kishte pasur një përplasje mes tyre.
“S’ka asnjë incident. Manja, Kadeli kanë qenë njerëz që vijnë në punë herët, duke pirë kafe pranë godinës së Parlamentit, janë sulmuar fizikisht nga banda kriminale e Gent Progni. Është turp i policisë që ka vonuar ndalimin e tij. Këto raste duhen proceduar”, tha Balla.
Lini një Përgjigje