Ekonomi31 Gusht 2023, 16:28

Nafta dhe benzina drejt 200 lekë/litri, eksperti: Çmimi mund të jetë paracaktuar

Shkruar nga Pamfleti

Nafta dhe benzina drejt 200 lekë/litri, eksperti: Çmimi mund të

Çmimi i naftës në Shqipëri po njeh sërish rritje. Gjatë ditëve të fundit një litër naftë dhe një litër benzinë po shiten në kufijtë e 200 lekëve, gjë që po rëndon xhepat e qytetarëve.

Por si e shpjegojnë ekspertët këtë rritje të re të çmimit të naftës në vend?

“Në ditët e fundit po të kemi parasysh…monedha jonë po zhvlerësohet, kjo teorikisht duhet të çonte në uljen e çmimit të naftës, por ndodhi e kundërta. Ka një rrezik që këto kompani po operojnë duke gjetur një gjuhë të përbashkët, duke evituar konkurrencën dhe duke punuar ai një kartel i vetëm duke paracaktuar çmimet”, tha eksperti i ekonomisë, Klodian Muço.

Një vit më parë qeveria krijoi bordin e transparencës për të mbajtur nën kontroll çmimin e naftës, por i cili tashmë ka pushuar së funksionuar.

“Teorikisht shteti, përtej mungesës së bordit, kemi institucione. Bordi nuk është se bëri gjë, mundohej që të mbante marzhin e fitimit të kompanisë. Megjithatë, kemi institucione të konkurrencës që duhet të monitorojnë tregun dhe të shikohet ku abuzohet me fitime”, u shpreh Muço.

Lëvizja e çmimit në bursë është një prej argumenteve që përdorin tregtarët e naftës në vend. Por sa qëndron kjo sipas ekspertit?

“Reagimi kur çmimet në bursë ulen është shumë i vakët, sepse kompanitë e justifikojnë me faktin që ne kemi gjendje, por kur çmimet në bursë rriten në mënyrë të menjëhershme, pse nuk e përdorin gjendjen që të vazhdojnë me atë çmim? Në fakt, ky është abuzimi i tregtarëve dhe në këtë rast institucionet shtetërore duhet të monitorojnë tregun”, thekson eksperti.

nafta benzina cmim