TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi23 Qershor 2023, 14:05

Standarti i dyfishtë i ekonomisë në Shqipëri: Çmimet më të larta dhe konsumi më i ulët në rajon

Shkruar nga Pamfleti

Standarti i dyfishtë i ekonomisë në Shqipëri: Çmimet

Shqipëria vijon të mbetet një nga vendet me çmimet më të shtrenjta në Ballkan dhe Europë.

Duke u cilësuar si një vend i varfër, konsumi aktual individual që përbëhet nga mallra dhe shërbime që konsumohen nga familjet është shumë i ulët. Konsumi për frymë apo për banor mund të konsiderohet si një tregues i mirëqenies materiale të familjeve shqiptare.

Një vit më parë, pra në vitin 2022, konsumi aktual individual për frymë e shprehur në standardet e fuqisë blerëse varionte nga 67% në 138% të mesatares së BE-së në 27 vendet e BE-së.

Sipas EUROSTAT, Shqipëria është në 40% e mesatares se BE, madje më ulët sesa rajoni. Serbia është në 53%, Mali Zi 64%, madje dhe Bosnje Hercegovina qëndron në 42%, më lart se Shqipëria.

Ndërsa, nivelet më të larta janë regjistruar në Luksemburg (38% mbi mesataren e BE-së), Gjermani (19%) dhe Austri (18%) mbi mesataren e BE. Pra, duke qenë një vend i vogël, Shqipëria mbetet një nga shtetet më çmimet më të larta në krahasim me konsumin e përditshëm individual për banor.

Standarti i dyfishtë i ekonomisë në Shqipëri: Çmimet

Ndonëse kemi pagat më të ulëta mesatare në rajon, rreth 30-40% më pak se vendet e tjera (me përjashtim të Kosovës) familjet dhe individët shqiptare përballen me çmime më të larta në blerjet e tyre të përditshme.
Shqipëria dhe Kosova kishin pagën më të ulët mesatare në rajon në vitin 2022, me rreth 520 euro secila (bruto). Serbia është shteti që po “fiton” në garën rajonale të pagave, që për vitin 2022 ishte mesatarisht 880 euro, ndërsa në dhjetor 2022, kërceu afër nivelit prej 1000 eurosh bruto (983 euro), sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave i Serbisë. Maqedonia e Veriut e kishte pagën mesatare në 2022 në 771 euro, Mali i ZI 883 euro, Bosnja 883 euro.

Çmimet në Europë

Në vitin 2022, nivelet e çmimeve për shpenzimet e konsumit përfundimtar të familjeve, ndryshonin gjerësisht në të gjithë BE-në.

Nivelet më të larta të çmimeve u regjistruan në Irlandë (146% e mesatares së BE-së), Danimarkë (145%) dhe Luksemburg (137%). Ndërkohë, nivelet më të ulëta janë shënuar në Rumani (58%), Bullgari (59%) dhe Poloni (62%).

Hendeku më i madh i çmimeve për alkoolin dhe duhanin

Në vitin 2022, niveli i çmimeve për alkoolin dhe duhanin ishte rreth 3.3 herë më i lartë në vendin më të shtrenjtë, sesa në atë më pak të shtrenjtë. Nivelet më të ulëta të çmimeve për alkoolin dhe duhanin, u regjistruan në Bullgari (66% e mesatares së BE-së), Poloni (73%) dhe Hungari (78%).

Ndërkohë, nivelet më të larta janë regjistruar në Irlandë (216%), Finlandë (174%) dhe Danimarkë (138%). Ky ndryshim i madh i çmimeve është kryesisht, për shkak të dallimeve në taksat e këtyre produkteve.

Restorantet dhe hotelet, renditen të dytat për sa i përket diferencës së nivelit të çmimeve, me nivelet më të ulëta të çmimeve të regjistruara në Bullgari (51% e mesatares së BE), Rumani (61%) dhe Hungari (62%) dhe më të lartat në Danimarkë (156%), Finlandë (132%) dhe Luksemburg (131%).

Çmimet e veshjeve ishin më të lira në Bullgari (80% e mesatares së BE-së), Hungari (83%) dhe Rumani (84%), ndërsa më të shtrenjta në Danimarkë (134%), Suedi (117%) dhe Çeki (115%).

Pabarazitë u regjistruan gjithashtu për ushqimin dhe pijet joalkoolike, që variojnë nga 72% e mesatares së BE-së në Rumani në 121% në Danimarkë, pajisjet e transportit personal, që variojnë nga 87% në Poloni në 132% në Danimarkë, dhe pajisjet elektronike të konsumatorëve, nga 92% në Itali në 115% në Francë.

ekonomi shqiperi cmime te larta

Lini një Përgjigje