Forum23 Maj 2024, 09:32

3/4 e shqiptarëve e duan një mandat të dytë për prokurorët e SPAK-ut!

Shkruar nga Eduard Zaloshnja

3/4 e shqiptarëve e duan një mandat të dytë për

Dumani nuk ka kërkuar rinovim automatik, por ka thënë që pas mbarimit të mandatit, t’u jepet mundesia prokurorëve të SPAK-ut që të aplikojnë sërish dhe të kalojnë të njëjtën procedurë sikurse çdo kandidat tjetër.

Altin Dumani, Drejtuesi i SPAK-ut, ka kërkuar disa herë publikisht që kolegëve të tij t’u jepet mundësia për të aplikuar për një mandat të dytë si prokurorë të SPAK-ut. Dhe këtë kërkesë të tij e përkrahin 3/4 e shqiptarëve, siç rezultoi nga sondazhi më i fundit që kam zhvilluar.

Kuptohet që sondazhi nuk është zhvilluar me 1100 juristë, por me 1100 banorë të rritur krejt të rastësishëm nga Konispoli në Vermosh. Dhe ata mund të mos jenë bazuar në argumente të thella juridike, kur kanë shprehur përkrahjen ndaj kërkesës së Dumanit. Gjasat janë të mëdha që ata të jenë nisur thjesht nga rezultatet e derisotme të prokurorëve të SPAK-ut.

Edhe unë bëj pjesë tek 3/4 e shqiptarëve që duan t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK-ut për një mandat të dytë. Dhe ja përse mendoj kështu.

Së pari, mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre do të cënonte pavarësinë e prokurorëve të posaçëm, por dhe statusin e tyre si magjistrat, mbështetur edhe në parimin e funksionalitetit të sistemit të drejtësisë. Mospërcaktimi i qartë i statusit do të ndikonte edhe në vijimësinë e ruajtjes së standardeve të larta profesionale të hetimit të kërkuara nga SPAK, duke marrë parasysh nivelin e lartë profesional tashmë të akumuluar, si nga përvoja profesionale, por edhe nga trajnimet e shumta të specializuara të përfituara nga prokurorët e posaçëm gjatë mandatit të parë.

Nga ana tjetër, do të cënohej edhe vazhdimësia e hetimeve të rëndësishme të kryera nga SPAK-u. Duhet theksuar për SPAK-un mezi u gjetën 17 prokurorë të denjë për të deri në fillimin e vitit 2022 (85% e numrit total të prokurorëve sipas organikës). Me përfundimin e mandateve të tyre, plotësimi i numrit të vendeve të lira do të kërkojë kohë, duke e vënë në vështirësi të konsiderueshme funksionimin e SPAK-ut dhe vijimin e hetimeve të dosjeve të rëndësishme, që ndiqen nga prokurorë aktualë.

Së dyti, në lidhje me mundësinë e ripërsëritjes së mandatit, Dumani nuk ka kërkuar rinovim automatik, por ka thënë që pas mbarimit të mandatit, t’u jepet mundesia prokurorëve të SPAK-ut që të aplikojnë sërish dhe të kalojnë të njëjtën procedurë sikurse çdo kandidat tjetër. Kjo, për të ruajtur barazinë në garë.

Nga ana tjetër, teksa gjykatësit e SPAK-ut kanë mandat të përjetshëm, ky kriter nuk është ndjekur për prokurorët e SPAK-ut. Të paktën dhënia e mundësisë për ri-aplikim mund ta minimizonte riskun e firos profesionale dhe cënimin e ruajtjes së standarteve te larta në SPAK edhe pas përfundimit të mandatit të aktual të prokurorëve. Për të mos thënë që atyre ndoshta u duhet dhënë një mandat i përjetshëm, njësoj si gjykatësve të SPAK-ut!

3/4 e shqiptarëve mandat i dyte prokuroret e spak