Brazili është gati për sfidën e radhës në Grupin C të Kupës së Botës, ndërsa lajmi më i mirë për “Seleçaon” vjen nga rikthimi i Neymarit. Trajneri Carlo Ancelotti konfirmoi se ylli brazilian ka lënë pas dëmtimin dhe është në dispozicion për ndeshjen ndaj Skocisë, e programuar për të mërkurën.
“Neymar është i gatshëm. Ai është stërvitur mirë këtë javë dhe është përgatitur mirë për ndeshjen. Jemi të gjithë shumë të lumtur që ai është rikthyer, sepse mund ta ndihmojë ekipin me cilësitë e tij.”, u tha Ancelotti gazetarëve të martën
Brazili do të përballet me një skuadër si Skocia që Ancelotti e përshkroi si “një ekip të mirë dhe të organizuar”, duke paralajmëruar se brazilianët mbeten të fokusuar vetëm te paraqitja e tyre dhe jo te rezultatet e tjera të grupit.
“Mendoj se duhet të përsërisim atë që bëmë në pjesën e parë kundër Haitit, të luajmë me intensitet, të jemi të saktë me topin dhe të shmangim gabimet. Kjo është rruga që duhet të ndjekim.”, tha ai.
Ancelotti shprehu besim se ekipi po rritet nga ndeshja në ndeshje, pas një starti pozitiv dhe një paraqitjeje edhe më të mirë në sfidën e dytë të grupit. Ndërkohë, ai dha sinjale pozitive edhe për talentin e ri Endrick, për të cilin tha se është plotësisht i gatshëm për të përballuar të gjithë minutazhin e ndeshjes.
Brazili kryeson grupin me pikë të barabarta dhe një rezultat pozitiv ndaj Skocisë mund t’i sigurojë vendin e parë në renditje, në varësi edhe të rezultatit të takimit tjetër mes Marokut dhe Haitit.
Lini një Përgjigje