
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e djeshme në zonën e Fanit, në Mirditë, ku kanë mbetur të plagosur gjashtë të mitur, kushërinj me njëri-tjetrin.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti dyshohet se drejtohej nga një 16-vjeçar, i cili kishte marrë makinën dhe po udhëtonte me pesë të mitur të tjerë. Për shkaqe ende të paqarta, i riu ka humbur kontrollin mbi mjetin, duke bërë që automjeti të përplasej me një shtyllë ndriçimi.
Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar plagosjen e të gjashtë të miturve. Burime pranë ngjarjes bëjnë me dije se një 12-vjeçare dyshohet se ka pësuar dëmtime të rënda, përfshirë frakturë në legen, ndërsa dy të mitur të tjerë kanë marrë fraktura në gjymtyrë.
Edhe tre fëmijët e tjerë kanë pësuar dëmtime të ndryshme si pasojë e aksidentit. Të plagosurit morën ndihmën e parë mjekësore në vendngjarje dhe më pas u transportuan drejt spitaleve në Tiranë për trajtim më të specializuar. Për transportimin e tyre u angazhuan gjashtë autoambulanca.
Pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për dokumentimin e rrethanave të plota të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në humbjen e kontrollit të automjetit.
Lini një Përgjigje