
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Himarë. Mësohet se një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, teksa ekipet teknike po punonin për riparimin e defekteve në rrjet dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike në zonat e prekura nga moti i keq dhe erërat e forta.
Viktima është 55-vjeçari Bashkim Boçi nga Elbasani, i cili ishte dërguar në Himarë për të mbështetur ekipet në terren. Sipas të dhënave paraprake, ai ishte ngjitur në një shtyllë elektrike dhe po përpiqej të rilidhte një kabull energjie, kur rripi i sigurisë që e mbante të lidhur në mes është shkëputur. Si pasojë, 55-vjeçari ka rënë nga një lartësi prej rreth 9 metrash, duke pësuar plagë fatale.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Ngjarja vjen vetëm një ditë pasi Himara dhe një pjesë e bregdetit u goditën nga stuhi të forta dhe erëra intensive, të cilat shkaktuan dëme materiale dhe probleme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Lini një Përgjigje