
Një 53-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi ka mbajtur të izoluar në shtëpi, duke ushtruar edhe dhunë fizike, ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre të mitur, përkatësisht 7 dhe 11 vjeç. Arrestimi është bërë në kuadër të një hetimi të koordinuar nga Prokuroria e Perugias.
53-vjeçari me banim në Gubbio, u arrestua në flagrancë dhe dyshohet se ka rrëmbyer ish-gruan e tij 42-vjeçare, rezidente në Shqipëri dhe dy fëmijët e tyre, të cilët jetojnë me të ëmën.
Ai u kap teksa drejtonte një makinë, me ish-bashkëshorten dhe dy fëmijët në sediljet e pasme – të tre në gjendje paniku, sipas raportimit të policisë. Gruaja dhe një nga fëmijët kërkuan menjëherë ndihmë.
Oficerët e policisë konstatuan se burri u kishte marrë pasaportat dhe telefonin celular, duke mos u lejuar të largohen ose të kërkonin ndihmë.
Hetimet pasuese zbuluan se burri e kishte mashtruar ish-bashkëshorten për ta bindur të vinte në Itali me fëmijët e mitur. Ata kishin mbërritur më 30 korrik me avion, por më pas burri i kishte ndaluar me forcë, duke përdorur kërcënime dhe dhunë fizike. Ndaj tij rëndon gjithashtu edhe akuza për mbajtje të paligjshme të një thike.
Në përfundim të ndërhyrjes, karabinierët gjetën një strukturë të mbrojtur ku gruaja dhe dy fëmijët gjetën strehim, ndërsa 53-vjeçari u dërgua në burgun e Perugias, sipas urdhrit të prokurorit të çështjes.
Lini një Përgjigje