Senafi Nuredini dhe Musa Xhaviti u kapën në kuadër të operacionit “Fury”, ndërsa Xhenkiz Rushiti dyshohet se u siguronte dokumente të falsifikuara.
Dy të rinj të shpallur në kërkim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut janë arrestuar në Durrës, ndërsa në pranga ka rënë edhe një person i tretë, i akuzuar për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Të arrestuarit janë identifikuar si: Senafi Nuredini, Musa Xhaviti dhe Xhenkiz Rushiti.
Senafi Nuredini dhe Musa Xhaviti ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL, pasi autoritetet maqedonase i kërkonin për veprat penale të vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje dhe kryerjes së veprave penale në kuadër të një organizate kriminale.
Gjatë kontrollit, Policia u gjeti dy të arrestuarve dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se i përdornin për të udhëtuar jashtë Maqedonisë së Veriut me qëllim shmangien e autoriteteve të drejtësisë.
Në vijim të operacionit u arrestua edhe Xhenkiz Rushiti, 26 vjeç, i cili dyshohet se u kishte siguruar dy të kërkuarve dokumentet e falsifikuara. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua një sasi e vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit të koduar “Fury”, të zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, partnerët ligjzbatues amerikanë dhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut.
"Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe intensiv ndërmjet strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë, përmes skuadrave të përbashkëta hetimore dhe aksioneve të koordinuara operacionale, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me partnerët ligjzbatues amerikanë me prezencë në rajon, me shërbimet e DVP Durrës dhe me homologët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, finalizuan operacionin e koduar “Fury”.
Në kuadër të këtij operacioni u lokalizuan, u kapën në Durrës dhe u vunë në pranga shtetasit M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji.
Për këta shtetas, INTERPOL ka lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për: vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale, në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë iu gjetën të arrestuarve dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë përdorur për të udhëtuar jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim shmangien e sistemit të drejtësisë në këtë vend.
Në vijim, u arrestua në flagrancë shtetasi nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Xh. R., 26 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi dyshohet se iu ka siguruar shtetasve të kërkuar, dokumentet e identifikimit të dyshuara të falsifikuara. Gjatë kontrolleve në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit gjen rastin të falënderojë edhe një herë, partnerët strategjikë ligjzbatues amerikanë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe në Shkup, për bashkëpunimin, asistencën dhe koordinimin në këtë operacion të përbashkët.", njofton policia.
Lini një Përgjigje