
Dy shqiptarë të shpallur në kërkim nga autoritetet janë arrestuar në Gjermani në kuadër të operacionit të koduar “Exchange 2”.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit, është arrestuar në Gjermani, një shtetas që akuzohet se në vitin 2022, ka shitur Kokainë në mënyrë të përsëritur në lokalin e tij, në Pogradec.
Gjatë operacionit u kap dhe një shtetas tjetër, i dënuar si bashkëpunëtor për vjedhje të kryer në Paskuqan, në vitin 2023.
Si rezultat i sigurimit të informacioneve dhe shkëmbimit të tyre, nëpërmjet Interpol Tiranës, me Interpol Ëiesbaden, u finalizua operacioni policor i koduar “Exchange 2”. Në kuadër të operacionit, Policia gjermane lokalizoi dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit B. S., 44 vjeç dhe K. Gj., 20 vjeç.
Në vitin 2022, Gjykata e Korçës i ka caktuar 44-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi dyshohet se në mënyrë të përsëritur, ka shitur lëndë narkotike Kokainë, në lokalin e tij, në Pogradec.
Në vitin 2024, Gjykata e Tiranës e ka dënuar 20-vjeçarin, me 6 muaj burgim, për vjedhje.
Policia bëri të ditur se vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e 2 shtetasve, në Shqipëri.
Lini një Përgjigje