TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Korrik 2026, 10:56

“Ti pa mua nuk bën”/ Studentja la Tiranën pas ndarjes, hakmarrja e 35-vjeçarit përfundoi në krim

Shkruar nga Pamfleti
“Ti pa mua nuk bën”/ Studentja la Tiranën pas ndarjes,
Autori Refit Buzi

Ngjarjet kriminale që pasojnë ndarjen e një marrëdhënieje vijojnë në vendin tonë. Në shumë raste, fundi i një lidhjeje nuk pranohet nga njëri prej partnerëve, duke sjellë përshkallëzim të konfliktit deri në përdorimin e armëve.

Një rast i tillë dyshohet se qëndron edhe pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35-vjeçari Refit Buzi, i njohur edhe me emrin Nertili, akuzohet se vrau ish-vjehrrin e tij dhe plagosi ish-vjehrrën.

Sipas të afërmve të 24-vjeçares, ajo dhe 35-vjeçari ishin fejuar disa kohë më parë, pavarësisht diferencës së konsiderueshme në moshë. Gjatë një periudhe ata kishin bashkëjetuar në Tiranë, ndërsa e reja ishte studente në degën e Infermierisë.

Më vonë, për arsye që ende nuk janë sqaruar nga hetimet, 23-vjeçarja vendosi t'i jepte fund marrëdhënies. Të afërmit e saj pretendojnë se pas ndarjes ajo u përball vazhdimisht me kërcënime nga ish-partneri, i cili dyshohet se përdorte edhe armën për ta frikësuar.

Sipas tyre, situata e detyroi të renë të ndërpriste studimet dhe të largohej nga Tirana për t'u kthyer në banesën e familjes në Vidhisht, me shpresën se do të gjente qetësi.

Megjithatë, familjarët thonë se kërcënimet nuk u ndërprenë. Ata tregojnë se Buzi ishte arrestuar dhe liruar disa herë, ndërsa së fundmi ndodhej nën masën e sigurisë "arrest në shtëpi".

Sipas dëshmive të tyre, ai i përsëriste shpesh ish-të fejuarës se nuk mund të jetonte pa të.

Ngjarja kulmoi rreth orës 06:00 të mëngjesit të së premtes, kur 35-vjeçari dyshohet se shkoi në banesën e familjes së vajzës. Sipas hetimeve paraprake, ai qëlloi me armë zjarri babanë e saj, Kosta Plaka, 58 vjeç, i cili humbi jetën në vend, ndërsa plagosi bashkëshorten e tij, e cila u dërgua në spital dhe po merr ndihmë mjekësore.

Të afërmit e familjes, të cilët banonin pranë shtëpisë, thanë se dëgjuan britma dhe të shtëna, por nuk hynë në banesë pasi, sipas tyre, autori i dyshuar kërcënonte se do të qëllonte ndaj kujtdo që afrohej.

Pas ngjarjes, 35-vjeçari mori me vete ish-të fejuarën dhe u largua me një automjet që, sipas dëshmive, ishte parkuar pas banesës. Ai dyshohet se mori me vete edhe armën e gjahut të përdorur në krim.

Pas disa orësh kërkime, policia arriti të lokalizojë autorin e dyshuar. Gjatë operacionit, 23-vjeçarja u shpëtua, ndërsa autoritetet vijuan negociatat për dorëzimin e 35-vjeçarit.

Hetimet për ngjarjen janë në vijim dhe pritet të hedhin dritë mbi motivin dhe rrethanat e plota të krimit.

studentja la tiranën pas ndarjes

Lini një Përgjigje