Kulture25 Qershor 2024, 16:55

Ditari i Shefit të Kabinetit të Hoxhës: Mehmet Shehu mbante në studio filma seksi dhe albume pornografike

Shkruar nga Afrim Imaj

 Ditari i Shefit të Kabinetit të Hoxhës: Mehmet Shehu mbante

“Ministri i shëndetësisë gomar, gomar dhe ai që e ka vënë”, deklarata që çoi në burg ndihmësin e Enverit...

Pjesa e Pestë

Vijon Nga: Pjesa e Parë, Pjesa e Dytë, Pjesa e Tretë dhe Pjesa e Katërt

Vetëvrasja në rrethana të dyshimta e kryeministrit komunist Mehmet Shehu në dhjetor të vitit 1981, e ka detyruar Enver Hoxhën të ndërpresë të gjitha angazhimet e tjera dhe të vihet në krye të situatës për të zbardhur të vërtetën, që sipas tij lidhej fund e krye me një veprimtari të rrezikshme agjenturore. Kryefjala e axhendës së kreut të regjimit tashmë, sipas kujtimeve të Haxhi Kroit, së paku në ditët e para të janarit 1982, por jo vetëm, u fiksua vetëm te një emër “Mehmet Shehu”, pas të cilit fshihej një tradhti e madhe.

Në ditarin e sekretarit personal të kreut të Partisë, bëhet e ditur mënyra si procedohej në kabinetin e njeriut më të pushtetshëm të Shqipërisë për të përballuar situatën e jashtëzakonshme.

Kroi që ka ndjekur hap pas hapi dinamikën e ngjarjes, shkruan se Hoxha në këtë periudhë ishte fokusuar në dy drejtime kryesore.

Së pari në deshifrimin e letrës që Shehu kishte shkruar për të pak çaste para se të vriste veten dhe në zbulimin e dokumenteve sekrete që kryeministri i vetëvrarë mbante në banesën e tij në Bllok.

Në shënimin e datës 5 janar 1982, shefi i kabinetit të kreut të Partisë, shkruan se Enveri e ka urdhëruar t’ia lexojë tre herë në ditë letrën e tradhtarit Shehu.

“Si mbaroja së lexuari, kujton ai, shoku Enver më thoshte “Sa i poshtër paska qenë! Quan Jako dy shokë të rëndësishëm, po Jako ka qenë vet. Kërkon të përçajë udhëheqjen, të krijojë dyshime midis shokëve”.

Në ditët në vazhdim, sipas të njëjtit dokument, Hoxha thërriste në zyrë një nga një anëtarët e Byrosë Politike dhe i njihte me përmbajtjen “djallëzore” të letrës dhe me refleksionet e para të tij për veprimtarinë armiqësore të kryeministrit të vetëvrarë titulluar “Mehmet Shehu, agjent i anglezëve”, një dorëshkrim ky 182 faqe, që më vonë do të merrte trajtën e plotë të “Sinoptikës...” së famshme. Duke iu kthyer operacionit të fshehtë për kontrollin e shtëpisë së Mehmet Shehut, Haxhi Kroi ndër të tjera e shikon të arsyeshme t’i raportojë udhëheqësit të partisë, për materialet e gjetura në shtëpinë e tij.

Në shënimin e datës 20 janar 1982, sekretari personal i kreut të regjimit shkruan: Shkova dogja me porosi të shokut Enver disa radiograme që gjetëm të pahapura nga zarfi i Ministrisë së Jashtme në dhomën e armikut Mehmet Shehu të datave 15 dhe 16 dhjetor 1981. Shokut Hekuran i dorëzuam me Vaskën pesë video mbi seksin dhe një album me ilustrime pornografike, materiale këto që i gjetëm midis të tjerave në shtëpinë e armikut Mehmet Shehu. Një çështje tjetër që zë vend në ditarin e sekretarit personal të Hoxhës është ajo e zbulimit dhe dënimit të Vahid Lames, njërit prej ndihmësve të diktatorit që ka punuar në paradhomën e tij qysh nga viti 1969...

“Ministri i shëndetësisë gomar, gomar dhe ai që e ka vënë”, deklarata që çoi në burg ndihmësin e Enverit

Të punoje në kabinetin e Hoxhës, nuk mjaftonte vetëm besnikëria. Stresi nga ngarkesa e jashtëzakonshme, bashkëjetonte njëherazi me intrigat e përplasjet e shpeshta, të cilat jo rrallë prodhonin viktima. Sado i kujdesshëm që është treguar Kroi në ditarin personal ndaj kësaj të vërtete, përsëri nuk ka mundur ta fshehë deri në fund. Mënyra si përshkruan debatet me Vahid Lamen dhe goditjen ndaj numrit dy të kabinetit të Hoxhës që ka punuar 13 vite në paradhomën e “Njëshit” të Partisë, zbulon haptazi mekanizmin djallëzor e të pabesë me të cilin operohej jo rrallë në zyrën më të rëndësishme të shtetit komunist.

I tunduar nga paraqitja dinjitoze e Lames dhe konsideratat pozitive të çiftit Hoxha për materialet e punuara prej tij, Kroi vë në lëvizje fantazinë e mbrapsht për të ndalur revanshin e juristit të njohur, ardhur në kabinet në fundin e viteve 60. Fillimisht vë në lëvizje njerëzit e “dorës” së tij duke u bërë thirrje të tregohen syçelët, se brenda radhëve të tyre ka njerëz si Lame që flasin pa doganë, madje edhe kundra politikës së Partisë. Ka mjaftuar kaq dhe vigjilentët e shefit të kabinetit kanë nisur të kujtojnë ato që kanë dëgjuar nga goja e tij. Haxhi Kroi pastaj ka bërë qëmtimin e fakteve dhe dëshmive, të cilat i ka renditur njëra pas tjetrës në bllokun e punës të sekretuar me siglën “Sekret”. “Vahidi i është shprehur Ksanthipi Dod. (sekretare në kabinetin e Hoxhës-shënim i red.)se Ramiz Alia, nuk ka burrëri dhe shpesh ua hedh me dinakëri fajin të tjerëve.”

“Në bisedë me Pandi Did. (instruktor në KQ-shënim i red.) Lama ka thënë se ministri i shëndetësisë është gomar, ndërkohë që edhe ai që e ka vënë është i tillë”. “Vahidi i ka deklaruar Jeta Mitru. (senografiste e Hoxhës-shënim i red.) se shoku Enver nuk është zgjedhur sekretar i përgjithshëm në mbledhjen themeluese të Partisë më 8 nëntor”... 

Në kujtimet e tij Kroi shkruan se me këtë “lëndë” të bollshme, në tetor të vitit 1981, komunistët e organizatës bazë të Partisë kanë kryqëzuar Vahid Lamen, duke e përjashtuar nga radhët e Partisë si element të rrezikshëm me prirje armiqësore.

Nga gjyqi politik pastaj, juristi i njohur që ka punuar 13 vite në paradhomën e Hoxhës, i është nënshtruar gjyqit penal, ku është  përballuar me njëjtën akuzë, të shkruar me dorën e Kroit.

Ditari i këtij të fundit zbulon sakaq edhe një fakt tjetër interesant: Vahid Lama është gjykuar e dënuar vetëm me dëshmitë e zyrtarëve të kabinetit të Hoxhës, të instruktuar e të inkurajuar nga shefi i kabinetit! Në shënimin e datës 4 shkurt 1982, Kroi ndërsa flet për kontaktet me krerët e hetuesisë që ndiqnin çështjen, shkruan “Thirra sot shoqen Jeta Mitrushi, punonjëse në aparatin e KQ, e cila do të pyetet lidhur me ato që ka deklaruar për armikun Vahid Lama. Fola për këtë edhe me shokun Ramiz, i cili ishte në dijeni dhe më tha të porositet Jeta që të bëjë kujdes dhe të denoncojë ato gjëra që di për Vahidin. Bisedova me Jetën, e prita ngrohtë dhe ia komunikova porosinë...” Biseda të tilla, siç dokumentohet nga ditari i Kroit, janë bërë edhe me vigjilentët e tjerë, të cilët, të njëjtat akuza i kanë transferuar nga organizata e Partisë në sallën e gjyqit. Gjyqi më në fund ka proceduar: Lame element antiparti, agjent, armik i betuar i Partisë dhe shokut Enver! Këtu shefi i kabinetit të Hoxhës, i mbyll përfundimisht llogaritë me ish vartësin e tij, që “Partia e kishte marrë nga hiçi dhe i kishte besuar deryrën e rëndësishme në zyrën e shokut Enver”.(Vijon...)/Pamfleti

mehmet shehu haxhi kroi