
Në vitin 1981, nga një dhomë spitali në Itali, Abdullah Oçalan i shkroi Papa Gjon Palit II një letër të papublikuar më pare, një apel për paqe, një aktakuzë ndaj shtetit turk dhe një kërkesë që Vatikani të mos heshtë përballë shtypjes së popullit kurd...
Një letër, një faqe, një stilolaps – por brenda saj, pesha e një kombi të ndaluar, historia e një populli të zhdukur nga hartat dhe një thirrje që nuk vinte as nga shteti, as nga feja, por nga rrënjët më të thella të njerëzores. Më 18 nëntor 1981, në një dhomë të vogël të spitalit në Palestrina, udhëheqësi i PKK-së, Abdullah Oçalan, nisi të shkruante një letër drejtuar Papa Gjon Palit II. E titulloi: “Shenjtërisë së Tij”.
Letra nuk ishte as kërkesë për azil, as një lojë diplomatike. Ishte një aktakuzë politike, një apel njerëzor dhe një strategji paqeje e artikuluar në një kohë kur Turqia vinte nën këmbë çdo zë autonom. Oçalan, në mënyrë të befasishme për një figurë që në atë kohë ishte etiketuar si “terrorist i përgjakshëm”, shfaqej si një mendje politike me ton të moderuar, që përpiqej të lidhte idealet e socializmit me vlerat kristiane të humanizmit dhe barazisë.
Letra i drejtohej Papës jo vetëm si kreu i Kishës Katolike, por si simbol i paqes, ndjesës dhe ndërgjegjes ndërkombëtare. “Kam konsideratë të madhe për barazinë, pacifizmin dhe humanizmin – vlera themelore të Krishterimit”, shkruante Oçalan. “Idetë e mia për socializmin më afrojnë me këto vlera, jo më largojnë prej tyre.”
Por ajo që e bënte letrën shkundëse, ishte akuza e drejtpërdrejtë ndaj shtetit turk. Për Oçalan, atentati ndaj Gjon Palit II më 13 maj 1981 nga Ali Agça, nuk ishte akt individual, por pjesë e një konspiracioni të sponsorizuar nga strukturat e regjimit ushtarak të Ankarasë. Sipas tij, Agça nuk kishte vepruar vetëm. Ai ishte shpëtuar nga burgu i Kartalit nga gjeneralët e grushtit të shtetit të 12 shtatorit 1980. Nga një burg i rrethuar me tanke dhe ushtarë, ai kishte dalë si fantazmë. Dhe më pas ishte shfaqur në sheshin e Shën Pjetrit me pistoletën në dorë.
Letra ngre një tezë të errët, por jo të pabesueshme: atentati ndaj Papës ishte një akt i shtetit turk, një akt i thellë i barbarisë kundër simbolit të paqes, për të trembur Perëndimin dhe për të izoluar çështjen kurde. E gjithë historia e Oçalanit në Itali u përjetua si dramë kombëtare nga Ankaraja. Nacionalistët ekstremë turq zbarkuan në Romë për ta “zgjidhur” çështjen me eliminim fizik. Oçalan kërkonte paqe, por e dinte se kërkimi i paqes në një sistem dhune është akt që të vendos në shënjestër.
Në letër, Oçalan nuk i bënte thirrje vetëm Papës, por gjithë Evropës. Kërkonte që Vatikani të bëhej zë për një popull të shtypur, ashtu siç kishte bërë dikur për polakët, kroatët, latinët e Amerikës së Jugut. “Kjo është arsyeja pse kam ardhur të trokas në derën e Evropës”, shkruante ai. “Duke bashkuar forcat, do të jemi në gjendje ta hapim këtë derë dhe t’i japim fund vuajtjeve të popujve të privuar nga të drejtat dhe kulturat e tyre.”
Në sfond, deklaratat e Kardinal Silvestrinit – një nga njerëzit më të afërt me Papën – e bënin të qartë se në Vatikan nuk kishte indiferencë ndaj çështjes kurde. Për herë të parë, një zyrtar i lartë i Selisë së Shenjtë fliste për një problem europian, e jo thjesht një “çështje terroristi”. Për Silvestrinin, 20 milionë kurdë që kërkonin shtet dhe dinjitet nuk mund të përballoheshin nga Italia e vetme. Kjo ishte një krizë morale dhe politike që kërkonte reagim ndërkombëtar.
Por përgjigjja e Papës nuk erdhi kurrë publikisht. Nuk u tha as po, as jo. Ishte një heshtje që peshonte. Ndoshta nga frika. Ndoshta nga diplomacia. Ose thjesht sepse Vatikani nuk dëshironte të përzihej në një çështje që Perëndimi zyrtar kishte vendosur ta quante “çështje të brendshme turke”.
Por sot, pas dekadash luftërash, represionesh, eksodesh dhe betejash diplomatike, ajo letër mbetet si një dokument që i parapriu historisë. Si një akt i vetmuar guximi, ku një burrë i ndjekur, i izoluar, i demonizuar – shkroi jo për vete, por për 20 milionë njerëz që s’kishin asnjë zë.
Dhe për këtë arsye, letra e Oçalanit drejtuar Papës, mbetet një nga ato momente të rralla kur politika, feja dhe historia kryqëzohen në një faqe të vetme – e heshtur, por që flet me zë më të fortë se shumica e manifestimeve politike të kohës sonë./ Përgatiti: Pamfleti
Burimi: La Repubblica
Lini një Përgjigje