Tashmë nuk ka më vend për dyshime. Jurgen Klop do të jetë trajneri i ri i kombëtares së Gjermanisë, duke pasuar Julian Nagelsman, i cili u largua nga posti pas eliminimit zhgënjyes të “Pancerave” në Kupën e Botës.
Sipas gazetarit Florian Pletenberg, prezantimi zyrtar i Klop pritet të bëhet të premten e ardhshme. Trajneri gjerman do të udhëtojë drejt Frankfurtit për të firmosur kontratën katërvjeçare dhe më pas do të prezantohet para mediave.
Aktualisht po përmbyllen detajet e fundit të marrëveshjes dhe, sapo të përfundojë finalja e Botërorit, Federata Gjermane e Futbollit do të nisë zyrtarisht një epokë të re nën drejtimin e një prej trajnerëve më të suksesshëm të viteve të fundit.
Klop ka qenë prej kohësh objektivi kryesor i drejtuesve të federatës, të cilët besojnë se ai është njeriu i duhur për ta rikthyer Gjermaninë në majën e futbollit botëror.
Vetë tekniku ka konfirmuar se marrëveshja tashmë është mbyllur. Në një intervistë të dhënë pak përpara finales së Kupës së Botës, ai zbuloi se ka gjetur akordin me Red Bull për t’u larguar nga posti drejtues që mbante pas përfundimit të aventurës së tij te Liverpuli, duke i hapur kështu rrugën emërimit në stolin e katër herë kampionëve të botës.
Klop deklaroi:
“Kam arritur një marrëveshje me Red Bull. Një marrëveshje shumë bujare. Nuk ka asgjë që mund ta pengojë.”
Trajneri foli edhe për momentin e zyrtarizimit të tij në krye të Gjermanisë:
“Kur të vijë koha, do ta shpallim vetë dhe nuk do të kemi nevojë për të tjerë që nxitojnë gjithmonë me lajmet. Në fakt, kjo duhet të ndodhë brenda ditëve të ardhshme. Idealja është sa më shpejt.”
Sipas mediave gjermane, Klop do të firmosë një kontratë katërvjeçare dhe prezantimi i tij zyrtar pritet të zhvillohet të premten.
View this post on Instagram
Jam i sigurte se ky djale King do beje Gjermanet kampion. Suksese!